Futboll

Federata toleron për dritat, Partizanit i mohohet e drejta për tifozët

Kthehen ndeshjet me drita në javën e 7-të të Superiores dhe kështu do të vazhdojë deri në fund të këtij viti. Federata Shqiptare e futbollit ka vendosur që të tolerojë në këtë drejtim, duke i lejuar klubet e elitës të zhvillojnë ndeshje me drita. Pak kohë më parë institucioni që drejton futbollin në vend vendosi që “fikte” dritat, sepse shumica e stadiumeve kishin probleme jo vetëm me ndriçimin, që nuk ishte i plotë, por edhe me sigurinë fizike të kullave që mbajnë prozhektorët. Sipas specialistëve, kullat e prozhektorëve të disa stadiumeve, me “Selman Stërmasin” në krye, kanë pasur rrezik shembjeje dhe duhet të pajisen me një certifikatë sigurie, që aty të luhen ndeshje me drita normalisht.

Por FSHF-ja ka vendosur që t’u japë kohë klubeve deri në muajin dhjetor që të pajisen me këtë certifikatë, që do të thotë se nga kjo javë rikthehen ndeshjet e me drita. Kështu, tri ndeshjet e së shtunës, Partizani-Teuta, Skënderbeu-Luftëtari dhe Flamurtari-Tirana, janë planifikuar të luhen në orën 17:00, pra nën dritën e prozhektorëve. Të dielën luhen dy ndeshjet e tjera, Kukësi-Vllaznia dhe Laçi-Bylis, që nisin në orën 14:00.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Teutës. Gazeta Si, 4 tetor 2019

Partizani luan pa tifozë këtë javë, pas dënimit që ka marrë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF për ngjarjet e derbit me Tiranën. Të kuqtë humbën të drejtën për ta shlyer një ndeshje në Kupë, pasi ata luajtën të martën, ndërsa Disiplina e shpalli vendimin të mërkurën. Nëse do ta kishte shlyer atë ndeshje në mesjavë, ndeshjen e dytë të dënimit klubi i kuq do ta shlyente me pagesë dhe ndaj Teutës do të kishte tifozë. Drejtuesit e Partizanit kanë bërë një kërkesë në FSHF në lidhje me këtë çështje, por mësohet se është lënë fuqi vendimi i Disiplinës dhe nesër shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” do të jenë bosh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë