Treg

Çmimi i druve për ngrohje është rritur 40%-Koha e artë për sobat

Nga Megi Iskurti -Pragu i dimrit ka trazuar ekonomitë e familjeve shqiptare të cilat u druhen faturave të larta të energjisë. Zgjidhja alternative e ngrohjes në këtë moment për ta, duket të jetë pikërisht druri.

"Ky është kthimi më i madh ndër vite i njerëzve te druri", pohuan në një mendje për Gazetasi.al disa nga shitësit kryesorë të druve në kryeqytet. Ata e dinë që ky dimër nuk do u ngjasojë aspak të shkuarve ndaj për të mbuluar kërkesën, e kanë rritur dhe sasinë e drurëve që ofrojnë në treg.

Gazetasi.al bëri një vëzhgim në disa nga pikat kryesore ku tregtohen drutë në kryeqytet nga ku mori thuajse të njëjtat përgjigjie.

“Interesi i njerëzve për të blerë dru këtë vit është shumë i lartë, i pazakontë krahasuar me periudhat e njëjta të viteve të kaluara. Mund të them që është rritur me gati 40% deri tani, dhe të mendosh që është akoma fillim tetori.

Sigurisht që dimri bën të tijën dhe njerëzit priren të blejnë dru në këtë periudhë por kësaj here pas gjithë kësaj kërkese qëndrojnë çmimet e larta të energjisë elektrike”, tha për Gazetasi.al një nga punëtorët e Retlavas, një pikë shitje pranë Urës së Institutit në Tiranë e cila merret prej kohësh me këtë biznes.

Edhe Arjan Nikolli, nga biznesi i tij me të njëjtin emër në Kamëz, thekson për Gazetasi.al se ky është viti ku kriza energjitike dhe ajo e çmimeve i ka orientuar qytetarët vetëm nga druri dhe sobat.

Nikolli i cili merret me import-eksport të druve shton se problematik është dhe fakti që sakaq çmimet e tyre janë dyfishuar kështuqë për qytetarët as kjo nuk do jetë një alternativë e lehtë.

Metri kub është dyfishuar, qytetarët po zgjedhin të keqen më të vogël mes të këqijave

Çmimet e drurit janë dyfishuar. Arsyeja kryesore sipas operatorëve të tregut është rritja e kostove të transportit.

“Një metër kub dru tani, nga ajo që dëgjoj edhe nga kolegët e mi, shitet 10 mijë nga 5-6 mijë që ishte vitin e shkuar në këtë periudhë. Ka patur një rritje të dyfishtë nga e cila sigurisht që do vuajnë më shumë banorët që jetojnë në rrethe pasi për shkak të klimës së ftohtë, atje duhen disa metra kub dru”, vijon mandej për Gazetasi.al Arjan Nikolli.

Ai metrin kub nga shtetet europiane të cilat kanë tjetër standard jetese e merr me 150 euro, jo shumë larg çmimit të Shqipërisë.

Një metër kub dru tani po shitet 10 mijë lekë të reja nga 5 mijë që ishte dikur

“Qytetarëve u ka ngelur të zgjedhin alternativën më pak të kushtueshme por me tërësej, të gjitha kushtojnë dhe dimri do të jetë i vështirë”, mbyll ai.

Interes në rritje për sobat me pelet

Sobat me pelet po bëhen gjerësisht të përdorura në një kohë relativisht të shkurtër për shkak se janë ekonomike.

Sipas operatorëve nga tregu kërkesa për të blerë disa prej tyre ka ardhur në rritje dhe duket që është një trend i cili do të vazhdojë.

Një qese me pelet, e cila konsiderohet si karburanti i sobës kushton 700 lekë. Ndërsa vetë soba, rreth 50-70mijë lekë.

Duke njohur tipologjinë e klientëve por edhe krizën e çmimeve që diskutohet se do të zgjasë, ata thonë se qytetarët po e shohin si zgjedhje më të favorshme dhe afatgjatë blerjen e sobave të tilla.

Edhe në botë, kërkesa për dru po rritet

Europa mbështetet tek gazi për rreth 1/4 e nevojave të saj për energji.

Çmimet e gazit në Europë aktualisht janë më shumë se 10 herë më të larta sesa mesatarja e asaj që kanë qenë gjatë dekadës së fundit. Por edhe me rritjen e sasive të magazinuara në depozita, kërkesa për energji elektrike është relativisht joelastike.

Fatura për krizën energjetike të Europës është afër 500 miliardë euro pasi qeveritë po nxitojnë të zbusin goditjen e rritjes së çmimeve, sipas grupit të ekspertëve Bruegel(institut kërkimi për hulumtimin e politikave mbi çështjet ekonomike).

Duke qenë se ajo pritet që të zgjasë më shumë se një dimër, edhe në shtete të ndryshme të Europës mediat raportojnë se është rritur kërkesa për dru zjarri dhe soba.

“Rritja dramatike e çmimeve të energjisë po i shtyn njerëzit drejt djegies së drurit, duke rezultuar në mungesa që kanë rritur edhe çmimin e druve të zjarrit. Njerëzit në Belgjikë po nxitojnë të gjejnë alternativa për të ngrohur shtëpinë e tyre përpara atij që parashikohet të jetë një dimër i ashpër . Në fillim të këtij viti, kjo u evidentua në rritjen e shitjeve të sobave me dru në vend. Tani, nxitimi për dru zjarri po i bën furnitorët të punojnë me shpejtësi të plotë për të mbuluar kërkesën, shkruan The Brussels Time.

Edhe në Spanja situata është e njëjtë.

"Ka pasur një rritje të jashtëzakonshme në numrin e  sobave që përdorin biokarburantet e ngurta si pelet ose drutë. Fabrikat e ngrohësve të peletit nuk mund t'i bëjnë ato mjaftueshëm shpejt sepse kërkesa është shumë e lartë. Ata janë duke punuar gjatë gjithë kohës”, citoi Javier Díaz, president i Shoqatës Spanjolle të Biokarburanteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë