Lajme

Fatmir Xhafaj jep dorëheqjen, Rama emëron Sandër Lleshin si ministër

Famtir Xhafaj jep dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm. Ky është zhvillimi më i fundit brenda qeverisë socialiste,  e që vjen si duket prej presionit të opozitës, e cila ka kërkuar largimin e ministrit për shkak të çështjes së audiopërgjimit të vëllait të tij, Agron Xhafaj.

Largimi i tij u bë publik nga vetë kryemnistri Edi Rama gjatë një postimi në rrjetin social Twitter. Kryeministri bën të ditur se ka qenë vetë Xhafaj që ka kërkuar largimin, ndërsa ka zbuluar edhe emrin e ri të ministrit të Brendshëm.

Në këtë post Rama ka caktuar Sandër Lleshin këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të tiij. Gjeneral Lleshi ka mbajtur edhe postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

"Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar.Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse", shkruan Rama në Twitter.

Propozimi i Rames per caktimin e Sander Lleshit si minister te Brendshem

Fatmir Xhafaj mori detyrën e ministrit pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, përpara zgjedhjeve parlamentare. Më 11 mars 2017 Tahiri u thirr në zyrën e Kryeministrit Rama, ku iu kërkuar largimi nga detyra.

Më pas Xhafaj dorëzoi detyrën si ministër i Brendshëm për shkak të marrëveshjes politike Rama-Basha në maj të 2017 për zgjedhjet, ku ky post iu dha përfaqësuesit të opozitës. Pas zgjedhjeve, Rama në formimin e qeverisë së re e caktoi sërish Fatmir Xhafaj në postin e ministrit të Brendshëm.

Ky është ministri i dytë i Brendshëm që largohet nga qeverisja socialiste brenda një viti. Propozimi për largimin e Xhafajt dhe caktimin e gjeneral Lleshit në detyrën e ministrit të Brendshëm, pritet t'i paraqitet presidentit të Republikës, Ilir Meta për dekretim.

Xhafaj do të jetë vetëm deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë