Politike

Fati i Rudina Hajdarit në dorë të Gramoz Ruçit

Brenda opozitës së re, grupimit “Demokrat” vijojnë përçarjet dhe duket se ato po synojnë thellimin e mëtejshëm. Korab Lita, i votuar si kryetari i ri grupit “Demokrat” u shfaq sot me katër deputetët Alban Zeneli, Halil Jakimi, Fatjona Dhimitri dhe Arben Elezi për të konfirmuar se kishte mbështetjen ndaj aktit të marrë në shkarkimin e Hajdarit nga posti i kreut të grupit demokrat.
Në një konferencë për median, Lita ka shpjeguar arsyet se pse grupi mori vendim për largimin e Hajdarit. “Në datën 10 tetor 2019 është zhvilluar mbledhja e grupit parlamentar ku është diskutuar edhe për funksionimin e grupit, ku pasi janë bërë prezent të gjitha problemet, i është kërkuar zonjës Hajdari që të tërhiqet nga drejtimi i grupit dhe të vazhdojë me detyrat e tjera të rëndësishme. Pas bërjes prezente të shpërdorimit të betimit tonë prej 6 muajsh si në aspektin organizativ, politik dhe ligjor, zonja Hajdari në mënyrë verbale deklaroi dorëheqjen e saj. Pas këtij momenti, grupi kaloi në procesin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të tij”, theksoi Lita.
Më pas ai bëri të ditur se janë propozuar tre kandidatura për të marrë postin e kryetarit, ku veç emrit të tij ishin dhe dy deputetët Halit Valteri dhe Alban Zeneli. Lita theksoi se Zeneli u tërhoq dhe se Valteri kërkoi kohë për të lobuar, por kur konsistoi se nuk kishte mbështetjen u tërhoq dhe pas këtij momenti u realizua procesi i votimit, në një kohë kur vetë Hajdari nuk ka marrë pjesë.

Korab Lita së bashku me deputetët e tjerë në konferencën për shtyp. Gazeta SI, 15 tetor 2019


“U propozuan tre kandidatura, Alban Zeneli, Halit Valteri dhe Korab Lita. Zoti Zeneli u tërhoq nga gara dhe mbetën dy kandidatura, Halit Valteri dhe Korab Lita. Zoti Valteri kërkoi kohë për të takuar kohë për tu takuar me kolegët për qëllim lobimin për vota. Në unanimitet grupi vendosi ti jepej kohë zotit Valteri deri ditën e nesërme, datë 11 tetor. Pasi nuk gjeti mbështetje, zoti Valteri deklaroi se tërhiqet dhe më mbështet mua në këtë garë. Për këtë u votua në mënyrë të hapur dhe u firmos nga të gjithë në unanimitet. Pas këtij, në respekt të rregullores është njoftuar Kryetari i Kuvendit”, deklaroi Lita.

Deputetja, Rudina Hajdari, gjatë një tryeze të thirrur nga OSBE për Reformën Zgjedhore. Gazeta Si, 15 tetor 2019


Ai deklaroi se grupi parlamentar “Demokrat” nuk është i rrezikuar me shkrirjen dhe se ai ftoi në mënyrë indirekte se kushdo që të do të largohet. “Grupi ynë është me nëntë anëtar nuk rrezikohet nga shkrirja. Rudina Hajdari ka dhënë dorëheqjen në rrugë verbale. Le të ikin Valteri e kushdo tjetër. Njeriu e bën politikën aty ku e gjen veten”, theksoi Lita.
Demokratja Rudina Hajdari hodhi poshtë pretendimet e Litës një ditë më parë, duke shprehur edhe forcën e saj, se këtë do ta tregonte të enjten në seancë se kush do të jetë kryetare e grupit parlamentar “Demokrat”.

https://www.facebook.com/rudinahajdari/posts/1122230941454723


“Ju siguroj se unë jam në krye të grupit Demokrat që ndërkohë po zgjerohet dhe forcohet edhe më shumë. Vendosmëria jonë për të çuar deri në fund reformimin e sistemit është detyrim ndaj çdo demokrati dhe opozitari që kërkon ndryshimin në Shqipëri. Shihemi të enjten!”, do të reagonte Hajdari. Më pas do të vinte edhe reagimi i deputetit tjetër i këtij grupimi, Halit Valteri që do të publikonte një shkresë, ku hidhte poshtë firmën e publikuar ku pranonte që Lita të ishte kryetar i grupit, e ndërsa i kërkonte kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të mos e merrte në konsideratë një kërkesë të tillë.

Shkresa e deputetit të opozitës, Halit Valteri ku i kërkon Ruçit të merret në konsideratë kërkesa për shkarkimin e Hajdarit si kryetare e grupit "Demokrat"


“Vendimi për zëvendësimin e Kryesisë së Grupit nuk është marrë. Në rast se ky vendim qëndron, atëherë unë deklaroj largimin nga Grupi së bashku me disa kolegë të tjerë. Në këtë rast grupi do të pushonte së ekzistuari”, shprehet në shkresën e tij.

Kujtim Gjuzi pro Hajdarit

Pas konferencës së deputetëve të opozitës së re, deputeti konvertor Kujtim Gjuzi do të dilne në mbrojtje të Rudina Hajdarit dhe kundër lëvizjeve të ndërmarrë nga brenda grupit nga deputetët Korba Lita, Alban Zeneli e të tjerë. "Ne jemi të gatshëm t'iu themi gjithë shqiptarëve se Rudina Hajdari është një njeri që është shqiptaro-amerikane e studiuar, e bija e liderit të demokracisë Azem Hajdari dhe kurrë nuk mund të goditet, jo vetëm se është zonjë e nderuar, por është si intelektuale e re. Ndaj unë them mjaft me falangat e vjetra, mjaft me xhaketat e vjetra”, tha Gjuzi.

Për Myslim Murrizi, Rama tha se vjen me mbështetje të fortë të Ballit Kombëtar, por se është deputet i Partisë Demokratike, është në Kuvend, nuk e ka braktisur Kuvendin, "ndaj donin që të ishte nënkryetari i Kuvendit”, u shpreh Gjuzi. Deputeti i opozitës, i pa rreshtuar në ndonjë grup, ngriti edhe aludime se kjo mund të jetë edhe një lojë e kryeministrit Edi Rama për të përçarë opozitën e re që kërkon të përçajë partitë e djathta.

Ora 15:20, Hajdari akuzon Litën për presione ndaj deputetes Dhimitri

Pas këtyre qëndrimeve, u paralajmërua një konferencë pasditen e sotme nga vetë kryetarja  grupit demokrat, Rudina Hajdari. Por më pas, vetë Hajdari konfirmoi për Gazeta Si se konferenca do të zhvillohet nesër. Demokratja është në pritje të deputetëve të cilësuar si mbështetës të saj brenda këtij grupi. Ndërsa më vonë, Hajdari me anë të një postimi në Facebook bëri të ditur një tjetër tërheqje nga nisma, pas asaj të deputetit Halit Valteri. Sipas saj, deputetja Fatjona Dhimitri është tërhequr nga votimi për të zgjedhur Litën si kryetar i grupit parlamentar “Demokrat”.

Deklarata e firmosur nga Fatjona Dhimitri që deklaron tërheqjen nga grupi

“Përveç një protagonizmi të shëmtuar mediatik, Korab Lita dhe gangsterët e tij, kanë ushtruar presion ndaj deputetëve, përfshirë edhe zj. Fatjona Dhimitri, e cila ka firmosur, për tërheqjen e këtij puçi. Pamjet filmike të disponuara nga zyrat e Kuvendit do t’i çohen Prokurorisë”, shkruan ajo në dokument.

Hajdari postimin e shoqëron edhe me deklaratën e deputetes Dhimitri, e cila ashtu si Valteri, shprehet se “nëse nuk merret në konsideratë tërheqja, atëherë deklaron largimin nga ky grup”. Pra edhe pse Dhimitri doli në konferencën për shtyp së bashku me Litën, doli një shkresë tjetër, ku deklaron largimin.

Deputetja Fatjona Dhimitri

Murrizi, Çaçani, Valteri dhe Dhimitri mësohet se pritet të jenë në mbështetje të Hajdarit. Ndërsa pjesa tjetër e drejtuar nga Korab Lita, Arben Elezi, Alban Zeneli, Halil Jakimi. Lëvizja tjetër e deputetes Hajdari pritet të jetë edhe bashkimi i një pjese tjetër të deputetëve të opozitës në këtë grup të ri. Valteri deklaroi se këtij grupi pritet t’i bashkohen 6 deputetë tjerë.


Ndasitë mes këtij grupimi janë bërë të dukshme dhe tashmë kanë shpërthyer në publik. Hajdari dukshëm ka mungesën e besimit në grup dhe se pas gjashtë muajsh, si një politikane e re që po synon të lëvizë dhe të krijojë një pol të ri të së djathtës po haset edhe në pengesën brenda parlamentarëve të saj. Korab Lita ka mbajtur edhe më parë postin e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës. Ndërsa një pjesë e deputetëve janë edhe më pranë PD-së. Nuk dihet nëse këto zhvillime që po tronditin grupin “Demokrat” po ndërmerren pas ndonjë ndërhyrjeje që mund të kenë bërë njerëz me influencë brenda PD-së, në prag të vendimeve të mëdha që është Kuvendi, si ai për shkarkimin e Presidentit dhe apo çështja e reformës zgjedhore. Fati i Rudina Hajdarit është në dorë të Ruçit, pasi grupi “Demokrat” është jashtë kontrollit të saj si kryetare. Sot në orën 17.00 Hajdari do të dalë në konferencë shtypi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë