Biznes

Fati i palestrave në Shqipëri, sport i vështirë me klientë dembelë dhe pak para

Disa palestra u mbyllën nga pandemia, të tjerat e zhvendosën aktivitetin fizik online.

Në një vit normal jo pandemik, palestrat do të kishin fluksin më të lartë të punës në harkun kohor mars-qershor, por e kundërta ndodhi vitin e kaluar kur aktiviteti u ndalua për shkak të karantinës.

Kjo ishte një goditje shumë e madhe për tregun e fitnesit pasi periudha që përkoi me mbylljen, shënoi tek ta jo vetëm uljen më  të madhe të fitimit por ka shkaktuar edhe falimentimin e disa prej tyre.

Shumë nga ta u detyruan që të bëjnë programe stërvitore online në kushtet e shtëpisë duke ua ofruar atë pa pagesë klientëve në mënyrë që të mos i humbisnin ato.

“Periudha mars-qershor është piku i punës së palestrave. Njerëzit përgatiten që të kenë një trup sa më në formë për verën dhe zakonisht ardhja e pranverës i presionon duke i bërë të rendin menjëherë drejt palestrave.

Nëse për vitin 2019 frekuentimi i palestrave u rrit me 40% në këtë periudhë, vitin e kaluar duke qenë të mbyllur, përqindja ishte shumë e ulët,”-tha Mela Hoxha për gazetën SI,instruktore palestre.

“Edhe grupmosha që frekuenton palestrën tani është zgjeruar. Ajo nis nga mosha e adoleshencës, kryesisht 15 vjeç deri në moshën 60 vjeçare.”

Përfshirja kaq e gjerë e moshave në frekuentimin e palestrave është në fakt një trend botëror, që e ka nxitur më tepër zhvillimin e këtij tregu. 

Sipas statistikave hulumtuese të tregut nga IBISWorld dhe nga EuropeActive, tregu i palestrave u zgjerua nga viti 2017 me 3.8% osë 3 miliardë dollarë për çdo vit deri në 2020 kur pandemia e pezulloi punën e tyre dhe fitimet u ulën ndjeshëm.

Por megjithatë, parashikimet e tyre tregojnë që deri në fund të vitit 2023 frekuentimi do të rritet me 13-15%.

Nga eksperienca e saj në disa palestra të ndryshme, Mela vlerëson se frekuentimi i tyre ka ardhur në zgjerim nga viti 2013 deri në vitin 2018 ku në fakt edhe të dhënat e doganave ne Shqipëri dëshmojnë për një rritje të importeve të pajisjeve që përdoren zakonisht në ta. Por dy vitet e fundit duket se e kanë përmbysur këtë rritje.

Edhe përse jeta tanimë gati i është rikthyer normalitetit dhe në palestra aktiviteti ka rinisur, shumë klientë janë sërish skeptikë për të shkuar atje dhe shumë palestra po shkojnë drejt mbylljes.

Vetëm nga data 1 deri në datën 5 maj të vitit 2021, në faqen “Merr jep.al” janë raportuar 51 raste ku palestrat kanë nxjerrë në shitje shumë nga pajisjet e tyre, kryesisht pistat e vrapimit, pajisjet cardio apo biçikletat që në fakt përbëjnë edhe pajisjet me kryesore të tyre.

Disa nga palestrat kanë ofruar në fakt edhe programe trajnimi online posaçërisht për stërvitje në kushtet e shtëpisë dhe këtë e kanë bërë tërësisht falas në mënyrë që të mbanin klientelën.

“Gjatë karantinës por edhe tani mbrapa akoma detyrohemi që të bëjmë programe të tilla online sepse ka ende klientë që nuk zgjedhin palestrat.

Në mënyrë që palestra jonë të mos falimentoje, ne po vijojmë t’i  bëjmë falas këto programe stërvitore për disa nga klientët që i kemi të rregullt por thjesht janë shumë skeptikë për tu kthyer në ambjetin tonë sepse ende nuk e kanë kaluar Covid-19.”- tha Ergen Lika për gazetën SI, instruktor prej katër vitesh në palestrën “Titan Fitness.”

Një faktor tjetër përveç  pandemisë që po ndikon në falimentimin e disa nga palestrave është dhe fakti se shqiptarët nuk shquhen si klientë që u qëndrojnë besnikë atyre.

 “Puna jonë është me hope. Shqiptarët janë përgjithësisht pak dembelë në sensin që ose duan të shohin rezultate të menjëhershme ose nuk e marrin tenativën fare që të përpiqen pak më gjatë. Klientët gjithëvjetorë janë shumë të paktë në numër pasi abonohen vetëm në afate tremujore, kryesisht në pranverë.

Në përceptimin tim prej disa vitesh si instruktor, mendoj që ndikon shumë dhe fakti që shqiptarët nuk janë një popull që kanë para të konsiderueshme  për  t’i shpenzuar në kujdesin ndaj vetes dhe kjo mbase i pengon ata që të jenë frekuentues besnikë por megjithatë kjo gjë tani po ndikon shumë tek të gjithë palestrat.

Pandemia i bëri njerëzit të reflektojnë mbi aktivitetin fizik dhe të pasurit një imunitet të  fortë por tani ata po zgjedhin më shumë aktivitetet në natyrë ose programet online duke shkaktuar kështu  një falimentim të palestrave tradicionale.”-vlerësoi Ergeni.

Ai tregon se përveç pjesës të programeve stërvitore online, për të mbajtur “gjallë” punën, janë detyruar që të ulin edhe çmimet duke i bërë paketat e tyre sa më tërheqëse, kryesisht me abonime 2000 lekë në muaj për tre herë në javë ose 3500 lekë për 6 herë në javë.

“Ofertat ekonomike nxisin frekuentimin edhe të asaj shtrese që nuk mund të përballojnë tarifa të larta. Prandaj ne menduam edhe për ata njerëz të cilët nuk duan të stërviten në shtëpi por i motivojnë ambjentet e palestrës.

Disa palestra në zonën e ‘Ali Demit’ , ‘Don Boskos’ dhe ‘Myslym Shyrit’ janë mbyllur dhe ne nuk duam të shkojmë drejt asaj rruge.”-tha Ergeni.

Mesa duket pandemia e ka ridimensionuar aktivitetin fizik duke e zhvendosur atë nga palestrat tradicionale drejt atyre online.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë