Biznes

Fasonët thërrasin për nevojën e një plani që prodhon lëndën e parë në Shqipëri

“Qeveria të ndërhyjë me fonde subvecioni dhe grante. Prokolli I kuq kushton 5000 lekë për punonjës”

Nga Sabina Veizaj - Gjergji Gjika që zotëron City Text, firmë prodhimi të veshjeve të modës, prej do kohësh që kur u pa se si po shkonte kjo industri në Europë, vendosi të diversifikonte prodhimin.

Tanimë ai prodhon veshje mbrojtëse një përdorimshe dhe kontratat janë njëra pas tjetrës me kërkesa të ndryshme për sa i përket sasisë.

Gjika ka investuar deri më tani 200 mijë euro që nga fillimi i krizës me kredi, hua dhe kursime. Teksa bisedojmë më thotë se po monton 40 makineritë e fundit.

Do muaj më parë, kryeministri Rama i bëri thirrje biznesit që këtë luftë “duhet ta kalojmë bashkë” teksa promovonte garancinë sovrane 1 për të cilën bizneset mund të palikonin me qëllim që të shlyenin pagat e punonjësve.

Vetëm pak muaj më vonë, Gjika me humor më thotë se “Kemi qeveri gjirokastrite, nuk është se presim ndonjë gjë, sepse u pa. Të gjithë vendet edhe ato të rajonit ndihmuan biznesin. Jemi qevria e vetme në botë që nuk u kujtua për sipërmarrësit. Këtu funksionon kështu: të hedhin në pyll, nëse shpëton; sa mirë që shpëtove”.

Megjithatë  sipas Gjikës kjo situatë ka shpalosur vështirësitë e veta, por edhe mundësi .Ai tregon për gazetën “Si” se kontratat aktuale, pavarësisht se janë të shumta në numër, nuk janë afatgjatë sepse situate është e paqartë dhe e pasigurt.

Gjergji Gjika

“Janë kontrata me copë. Ne shohim vetëm 2 metra larg nga mjegulla. Por pasja e kontratave na ka shtuar punën dhe punonjësit janë të kënaqur se paguhen më shumë. Kemi shtuar edhe numrin e punonjësve”- thotë Gjika.

Teksa Gjika është i bindur dhe i pashpresë për ndonjë mbështetje të mundshme nga qeveria, Florian Zekja i ND Albania këmbëngul tek idea e mbështetjes qeveritare për të ngritur industrinë e prodhimit të lëndëve të para "Made in Albania".

Vetë Zekja ka investuar 100 mijë euro gjatë kësaj periudhe për të diversifikuar prodhimin, teksa shpjegon se investimi nuk ka përfunduar ende. Pasi vdiq moda, tregon ai, dalëngadalë nisi të diversifikonte prodhimin me kërkesa që i vinin nga kompani të ndryshme në Gjermani e gjetkë për maska dhe veshje mbrojtëse njëpërdorimshe.Zekja prej dy javësh ka diversifikuar plotësisht prodhimin dhe nuk është më pjesë e modës europiane, por kontratat aktuale i ka në një kontinent tjetër.

Problemi i tij aktual është kostoja e magazinimit të makinerive të mëparshme që kushton 4 euro për metër katror dhe atij I duhen 400 metër katrorë, pa marrë parasysh amortizimin, nëse mendohet se do t'iu rikthehet sërish pas gati 3 vitesh kur moda të rigjallërohet.

“Nuk kemi të qartë dhe të sigurt asgjë. Do punojmë në këtë drejtim tani që kemi nisur. Por kriza na ka kushtuar mjaft. Përpos investimit në ndryshim makinerish, paguajmë për çdo person 5 mijë lekë çdo muaj për protokollin e kuq dhe asnjë mbështetje nga qeveria”- thotë Zekja.

Florian Zekja

Por paqartësisë dhe pasigurisë aktuale, i shtohet frika edhe për një valë të mundshme të COVID-19, që nëse do të ndodhë e do të shpjerë vendet në izolim, edhe këto kontrata aktuale të firmave fasone, do të vihen në rrezik, në një rrezik akoma më të madh se në shpërthimin fillestar të epidemisë.

Prandaj Edvin Prençe, kryetar i shoqatës Pro Export Albania, thotë për gazetën :”Si” se duhet të lobohet fort të për të ngritur industrinë e prodhimit të lëndëve të para në vend dhe për veshjet spitalore, të ushtrisë e të tjerë, institucionet të mos kryejnë tendera që mandej i fitojën të huajtë, por t'u jepen kompanive shqiptare që paraja të mbetet në vend.

Edvin Prençe, Kryetar Pro Export Albania

Vetë Prençe nuk ka patur nevojë të diversifikojë prodhimin në firmën e vetë sepse që në 2015-ën kur e ka çelur atë, punonte me kontrata për veshje pune dhe linja e tij i është përshtatur mjaft mirë situatës, por ai thotë se nga 700 ndërmarrje të shoqatës që drejton, 40 % të tyre kanë bërë diversifikim të plotë të prodhimit, kurse të tjerat duan, por nuk munden.

Ai e shikon emergjente prodhimin e lëndës së parë në vend, e para sipas tij për arsye sigurie (80 % kontratat janë me Italinë, 12 % me Gjermaninë, pjesa e mbetur me vende të tjejra të Europës) duke marrë parasysh një valë të dytë të epidemisë, apo ndonjë ngjarje tjetër globale, e dyta për të mbetur paratë në vend dhe për të shtuar numrin e punonjësve dhe standartin e tyre me rritje pagash.

Ai llogarit që të bëhet diversifikimi i plotë për të gjitha firmat fason duhen 50 mln euro.Prençe sugjeron që qevria mund të ndihmojë me fonde për investim kapitali për të ngritur fabrika prodhimi të lëndës së parë Made in Albania, ose të blejë makineritë dhe në rast mosperformimi të firmës, ia merr mbrapsht ose kredi afatgjatë me këste të vegjël dhe pa burokracira në standarte dhe kërkesa, por duke marrë parasysh mbarëvajtjen e frimave para pandemisë.

Fasonët mbeten të palëkundur në kërkesat e tyre për ta kthyer  në oportunitet këtë krizë globale që rrodhi nga pandemia COVID-19;

-Të rikthehet Garancia Sovrane 1 pasi kanë mbetur të pashfrytëzuar edhe 40 mln euro

-Për Garancinë Sovrane 2 të lehtësohen kriteret

-Subvecionim protokolli i kuq

-Grante dhe Subvecione për Fabrika Made In Albania dhe diversifikim prodhimi

Industria fason punësonte para pandemisë mbi 68 mijë persona, nga të cilët 31 % janë larguar nga puna.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë