Biznes

Fasonët të tmerruar nga humbjet që presin. Propozime urgjente kryeministrit

52 mln euro do ti duheshin sektroit për tu rimëkëmbur nga kriza që shkaktoi pandemia

Shoqata Pro Export Albania nga një analizë që ka kryer të situatës së sektorit fason, parashikon që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 të humbasin 20 mijë vende pune dhe 13, 8 mln euro në muaj.

“Çdo ditë që kalon është humbje e madhe në vënde pune, rënie të eksporteve, rritje të vazhdueshme të detyrimet kundrejt shtetit, humbja e interesit nga vendet Europiane të vijnë e të prodhojnë në Shqipëri duke pasur nevoja emergjente në investime, diversifikim do e bëjnë Shqipërinë jo atraktive. Parashikimet tona lidhen me skenarin B nëse situata do të rëndohet më tej, duke parë mbylljet totale, pjesore të shteteve të tjera.”- shprehet Florian Zekja nga Pro Export Albania.

Në një letër zyrtare të dërguar Kryeministrit Rama, Ministres së Financave Denaj, Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Shalsi dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin Ahmetaj, Pro Export Albania bën një rezyme të gjendjes së sektorit dhe ofron disa kërkesa për ndihmë që ndërmarrjet të rimëkëmben dhe tregu në shqipëri të bëhet atraktiv për sipërmarrësit e huaj europianë.

“Në vitin 2019, ky sektor siguroi rreth 39 përqind të eksporteve të Shqipërisë. Në vitin 2019 në total eksportet ishin 2.1 miliardë euro, me mbi 800 milionë euro të siguruara nga kompanitë e veshjeve dhe këpucëve.

Ndërsa sot, pas goditjes nga Pandemia e Covid-19, shumica e fabrikave prodhuese të industrisë së veshjeve dhe këpucëve po punon për mbijetesë. Në këto muaj më të vështirë, tre në katër sipërmarrës të sektorit mendojnë të shesin biznesin e tyre. Shumë nga sipërmarrësit e sektorit janë duke përjetuar reduktim të ndjeshëm të stafit dhe ridimensionim të aktivitetit. Kufizimet e prodhimit gjatë pandemisë sollën largimin e detyruar nga puna të mijëra punonjësve të industrisë për periudhën mars-qershor 2020, kryesisht gra e vajza, shumica e të cilave gjithashtu ishin të kualifikara për proçeset e punës që kryenin. Sektori është humbësi më i madh në punësim në Shqipëri, për shkak të COVID-19 me mbi 27.000 heqje/pezullime nga puna për tremujorin e dytë të vitit 2020. Si pasojë e kësaj situate dhe në bazë të të dhënave të INSTAT, eksportet e vendit si total gjatë periudhës prill-qershor 2020 ranë me një të tretën (32 perqind), ndërsa eksportet e industrise së veshjeve dhe këpucëve u përgjysmuan, duke rënë me 48 përqind. Kjo ka shkaktuar një humbje mbi 180 milionë euro për sektorin.” – citohet në letrën drejtuar qeverisë.

Shoqata thekson se rreziku i falimentimeve në masë të sipërmarrjeve të sektorit është ende evident nëse nuk do të ketë ndërhyrje për shpëtim.

Në kërkim të zgjidhjes së problematikës së mësiperme ose lehtësimit të vështirësive për të mbi 700 fabrikat prodhuese të industrisë së veshjeve dhe këpuceve, Shoqata Pro-Eksport Albania i ka propozuar qeverisë krijimin e një Buxheti Ad Hoc për sipërmarrjet e sektorit, e cila të mundësojë. Nga ky buxhet shoqata pretendon krijimin e krijimin e një linje financimi me kredi të butë ose grant prej 32 milionë euro për të për të inkurajuar blerjen e makinerive të reja për industrinë e tekstileve dhe këpucëve sepse sipas tyre stimulojnë produktivitetin e nga ana tjetër do të mbështesin punësimin dhe rritjen e rrogave.

Shoqata propozon edhe krijimin e një linje kreditimi të butë prej 15 milionë euro për të përmirësuar likuiditetin e sipërmarrësve që të kenë mundësi ruajtjen e vendeve të punës aktuale dhe promovimin e punësimeve të reja. "Në këtë shumë përfshihet një mbështetje dy-vjeçare e emergjencës, duke mundësuar, nëpërmjet një Vendimi të Këshillit të Ministrave: subvencion pagash në masën 50% të pagës minimale deri sa të mbarojë kriza e pandemisë “njëlloj siç veproi Bosnia dhe Serbia.”-thuhet në letër

Një tjetër kredi e butë alternuar me grante prej 5 milionë euro porpozohet të përdoret për çertifikimin e produktit sipas standarteve europiane të linjave prodhuese me qëllim rritjen e eksporteve shqiptare si dhe për blerjen e lëndës së parë e marketingun e këtyre prodhimeve.

NJë tjetër propozim lidhet me kushtin që nëse institucionet shtetërore do të lidhin kontrata për të plotësuar nevojat për produkte veshjesh dhe këpucësh, ato të jenë vetëm me ndërmarrjete prodhuese shqiptare të kësaj industrie.

Shoqata kërkon në të njëjtën kohë të rritet prodhimi vendas, kjo me anë të patriotizmit ekonomik “prandaj kërkojmë që në të ardhmen në tenderat publikë të kenë një bonus të veçantë ndërmarrjet që prodhojnë në vend. Apo kontratat e insitucioneve shtetërore që do të lidhen në të ardhmen të kenë një linjë preferenciale për produktet made in Albania për produktet e veshjeve dhe këpucët.”

Sipas Pro Export Albania nëse qeveria do të plotësojë kërkesat e propozuara, në një periudhë dy-vjeçare, jo vetëm do të mund të arrijnë të rimarrin në punë të gjithë fuqinë punëtore të larguar, por edhe do të mundësojnë krijimin e të paktën 55 mijë vendeve të reja të punës edhe të personave të pakualifikuar, duke rritur me mbi 240 mln euro eksportet.

“Në buxhetin e shtetit do të rifuten: 40 milion euro sigurime vjetore shoqërore (paga minimale); - 28 milion euro nga konsumi i përditshëm në 20% të TVSH-së që konsumatori paguan; - 36 milion euro tatim fitimi (15%); - 3 milion dividenti.”-garanton Zekja.

Një ditë më parë Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduart Shalsi është shprehur në një emision televiziv se “Sot Europa po i konsideron masat mbështetëse që mori me urgjencë si jo efikase dhe jo eficente. Po bëjmë bashkë me partnerët një analizë, por situata është aq e ndryshueshme, saqë të gjitha analizat që bëri Greqia në fillim të dhjetorit me futjen e lockdown i ka çuar në disa skenarë të paparashikuar. Po bëjmë në vlerësim. Nuk është e lehtë. Shumë biznese janë të lidhur me eksportet si industria fason dhe ç’ndodh; ne marrim një masë lehtësimi, nëse bllokohen porositë atëherë do afektohet.  Jemi duke e bërë, por variablet janë të tilla që nuk kemi formulë të artë që t’i japim zgjidhje të gjitha llojeve të problemeve. Ne kemi marrë vendim politik në raport me biznesin e madh, të mesëm dhe të vogël dhe mbi 85% e biznesit të madh nuk ka shqetësim nivelin e taksave, por ka të bëjë me procedurat e inspektimet”.

Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri përfshin mbi 700 ndërmarrje aktive të mëdha, të mesme dhe të vogla. Sektori përfaqëson punëdhënësin e parë më të madh privat në vend me rreth 60.000 vetë dhe gjeneron një sërë aktivitetesh të lidhura si transporti apo tregtia me shumicë e pakicë.

Ndërrmarrjet e sektorit janë të ndara në ndërmarrje të cilat punojnë me material porositësi, fasonët dhe nga ndërrmarrje të cilat punojnë me cikël të plotë prodhimi “Made in Albania”.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 272 mld lekë, duke u ulur me 9,0 %, krahasuar me një vit më parë.

Grupi që ka ndikuar më së shumti në uljen vjetore të eksporteve është: “Tekstile dhe këpucë” me -5,3 pikë përqindje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë