Biznes

Fasonët: Të shtyhet në qershor 2021 rritja e pagës minimale. Qeveria refuzon

Biznesi shqiptar po sheh alternativa për të sjellë punëtorë nga vendet aziatike sepse sipas biznesit, punëtorët e atyre vendeve kanë një rendiment dy herë më të lartë se ata vendas

Pro Export Albania nën ombrellën e bashkimit të disa shoqatave me logon Business Albania i ka kërkuar Ministrisë së Financave shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për rritjen e pagës minimale në qershor 2021.

Argumenti i dhënë nga përfaqësuesit e fasonëve në takimin e Këshillit Kombëtar të Punës, i zhvilluar online, ishte gjendja e keqe financiare që sektori po përjeton dhe pasiguria për të ardhmen e afërt me kontrata të shkurtra dhe të pakta.

“Propozimi ynë ishte që për sektorin fason paga minimale të aplikohet në 6 mujorin e dytë të vitit 2021. U theksua se kjo barrë duhet shoqëruar me programet e nxitjes së punësimit, formimit profesional dhe paketa ndihmëse fiskale”- tregon për gazetën “Si” Florian Zekja nga Pro Export Albania.

Por presioni i sindikatave, prezent në takimin online, bëri sipas Zekjës që Ministrja Denaj ta refuzonte në mënyrë të menjëhershme propozimin.

Zekja shpjegon se “Në përgjigje të sindikatave të pavarura që ankohen për pagat e ulëta përgjigjja jonë është: Në studimin e vitit të kaluar të Bankës Botërore doli se punëtorët shqiptarë ishin në vendin e fundit në Ballkan me një rendiment 55%, pra paga minimale e punëtorit shqiptar nuk është 30,000 lek por 58,000 lek.”

Në këtë diskutim, Zekja thotë se biznesi shqiptar po sheh alternativa për të sjellë punëtorë nga vendet aziatike të cilët kanë një rendiment dy herë më të lartë se ato vendas.

Biznesi kërkon gjithashtu rishikimin e proçedurave për pagesat e raporteve mjekësore, që sipas tyre të nisur nga eksperiencat europiane, “duket e padrejtë pagesa deri në 14 ditë në rast sëmundje të punëmarrësit nga ana e punëdhënësit, por të bëhet vetëm 3 ditë siç është në shumë vende( Italia)”

Një tjetër propozim nga ana e biznesit është që universitetet me profil tekstilet, shkollat profesionale apo qendrat e formimit profesional të kenë një bashkëpunim me sektorin fason për të nxjerrë kuadro apo studentë që ti përshtaten prodhimit të tekstileve dhe këpucëve.

Qeveria vendosi që rritja e pagës minimale, e cila është 26 mijë lekë dhe nga 1 janari i vitit të ardhshëm shkon në 30 mijë lekë, është e detyrueshme si për sektorin publik dhe atë privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë