Biznes

Fasonët mund të aplikojnë për garanci sovrane deri në tetor. Qeveria miraton kushtet

Nga Gazeta 'SI' - Kompanitë e manifakturës në Shqipëri kanë kohë deri më 31 tetor të këtij viti të aplikojnë për garanci sovrane.

Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi i autorizuar nga komisioni i ndihmës shtetërore ku përcaktohen më shumë detaje teknike për garancinë 4 mld lekë.

Aty thuhet se garancia jepet kur përfituesi i ndihmës nuk përmbush kushtet për nisjen e një procedure falimentimi sipas legjislacionit në fuqi; garancia nuk kalon 80% të kredisë që garanton; dhe pjesa e garantuar e kredisë nuk kalon shumën prej 522.5 milionë lekësh. Huamarrësi nuk  duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara në  momentin e aplikimit dhe se nuk duhet të ketë kredi me probleme, me vonesa prej më shumë se 60 ditë, në historik dhe në momentin aktual në Regjistër Kredie. Vlera e huasë e vendosur në dispozicion nga Huadhënësi për Huamarrësin nuk mund të jetë më e lartë se 100 milionë lekë.

I njëjti vendim thotë se subjektet duhet të bëjnë investimet e parashikuara aty, si investime në asete të prekshme ose për zgjerimin e ndërmarrjes, diversifikimin e prodhimit, të krijojë vende të reja pune brenda 3 vitesh etj.

Qeveria propozoi garancinë shtetërore për sektorin e fasonerisë dhe të ngjashme, për të nxitur investime në inovacion dhe teknologji dhe për të blerë lëndën e parë. Duke qenë se industria ishte në kushte falimentimi, qeveria gjykon se garancia nuk cënon konkurrencën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë