Biznes

Fasonët kundër 40 mijë lekëshit: Duam pagë papunësie pa afat

Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania” nuk është dakord me pagesën 40 mijë lekë që i shkon vetëm një herë personave që janë jashtë listapgesave të biznesit fason.

Shoqata në një letër të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit Hametaj dhe Eduart Shalsi, shpjegon se  Kredia 150 milion $, ku biznesi nuk paguan interesa dhe Shtyrja e kësteve të parapagimit të tatim fitimit deri në 31.12.2020. janë  ndihmë për biznesin fason, por ndihma prej 40,000 lekë deri në 31.05.2020 për çdo punonjës të fasonit që figuron i hequr nga listat e punëdhënësve deri në 10.04.2020 ky biznes nuk e gjen veten sepse : a) të gjithë ata punonjës që megjithëse janë pa punë nuk janë hequr nga listat si rezultat i thirrjes së Qeverisë për të mos i hequr; b) të gjithë ata punonjës që do të hiqen nga listat pas datës 10.04.2020 për arsye të mungesës së punës.

Sugjerimi i shoqatës do të ishte jo pagesa e deklaruar në paketën 2, por pagesa e papunësisë (asistenca dhe sigurimet shoqërore) me një procedurë të shpejtë dhe të thjeshtuar, për të gjithë të mbeturit papunë në sektorin FASON si rezultat i pandemisë, pa data dhe afate.

Sipas “Proeksport Albania”, pagesa prej 40 mijë lekësh krijon nonsens dhe një lloj konflikti në rastin e punonjësve të hequr nga lista për arsye personale në ndërmarrjet që janë në aktivitet.

“Ajo që ne nuk e pamë dhe që prisnim  nga kjo paketë, është një grup masash ekonomike bazike për të siguruar mbështetje minimale në situtatën që po përjeton sektori”- citon shoqata në letrën drejtuar Kryeministrit Edi Rama.

Shoqata kërkon:

  • Rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH, në mënyrë të menjëhereshme dhe pa kontroll për të gjitha ndërmarrjet fason. Më pas zyrat e tatimeve të vijojnë me kontrollet dhe verifikimet përkatëse.
  • Pagesën e menjëherëshme e tepricës së mbipaguar të kësteve të tatim-fitimit për ndërmarrjet që kanë një mbipagesë në Deklaratën Vjetore të Tatim Fitimit 2019.
  • Shtyrje deri në 31.12.2020 të tatimit mbi qeranë për objektet e marra me qera nga ndërmarrjet fason.
  • Heqja e taksave mbi pronësinë për vitin 2020 për objektet në pronësi të ndërmarrjeve fason.
  • Pezullimi i procedurave mbi tenderimin e veshjeve mjekësore, të policisë dhe ushtrisë (jo urgjente), duke i dhënë përparësi ndërmarrjeve të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve për realizimin dhe përmbushjen e këtyre nevojave.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë