Biznes

Fasonët drejt përmirësimit, 19 % rritja e punësimit në maj. “Kemi nevojë për incentiva nga qeveria”

“Ja problematikat që pengojnë zhvillimin”

Sektori fason po del dalëngadalë nga tuneli i errët që i imponoi kryesisht pandemia COVID-19.

Ka gati tre muaj që ky aktivitet i ekonomisë ka nisur të lëvizë, veçanërisht dega e këpucëve që vuajti më tepër shkaqet e krizës botërore shëndetësore.

Kreu i shoqatës Pro Export Albania Edvin Prençe tregon për Gazetasi.al se ka shumë kërkesa nga klientë që nuk e konsideronin Shqipërinë kohë më parë. Këta klientë interesohen si për produktet e modës, ashtu edhe veshjet e punës.

“Italia, Gjermania dhe shumë vende të tjera europiane i kanë kthyer sytë nga ne dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Më parë këta klientë as nuk na konsideronin. Pandemia rrënoi, por edhe ristrukturoi tregun.”- shprehet Prençe.

Gjatë muajit maj në këtë sektor është vënë re ripunësim i personave të larguar gjatë periudhës së pandemisë me 19 %.

“Në 100 veta të larguar, janë rrimarrë 19/20 persona”- thekson kreu i shoqatës.

Kurse Florian Zekja konfirmon se përmirësim të dukshëm sektori do të ndjejë në muajin shtator e mandej më shumë në fundvit në muajin dhjetor.

Por me gjithë optimizmin dhe vështrimin përpara, ka disa problematika që pengojnë rrugën e përmirësimit, rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Janë kostot shtesë të transportit dhe vonesat e tij për lëndët e para. Ne importojmë lëndën e parë kryesisht nga vendet aziatike. Ngaqë puna tashmë ka nisur me vrull pas lehtësimit të kushteve anti COVID-19, ka shumë kërkesë për lëndë të parë dhe si rrjedhojë vonesë në transport. Nëse një kamion paguhej më parë supozojmë 2 mijë euro dhe vonohej 2 javë, tanimë vonohet 1 muaj e mund të shkojë edhe 8 mijë euro. Kjo shkakton vonesa nga ne për porositë e klientëve”- tregon Prençe.

Një tjetër problematikë që shkakton mospërmbushje të kërkesave ndaj klientëve të huaj janë makineritë e amortizuara.

Për kreun e shoqatës Pro Export Albania qeveria duhet të krijojë mekanizma ndihme për këtë sektor.

“Kompanitë shqiptare kanë nevojë për investime për t’iu përgjigjur klientëve, por kriza shkaktoi mungesën e likuiditetit dhe ata nuk kanë mundësi të rinovojnë makineritë e amortizuara. Po ashtu sipërmarrësit e këtij sektori kanë nevojë për incentiva fiskale, veçanërisht për tarifat doganore dhe mbështetje për panaire. Muajt në vazhdim për sektorin tonë ribisin panairet. Rinisin me atë të Londrës. Janë një mundësi fantastike për tu përballur me klientët tanë potencialë. Serbia i mbështet sipërmarrësit fasonë që shkojnë në këto panaire. Do donim të ndodhte e njëjta gjë edhe te ne”- shprehet Prençe.

Të dhënat më të fundit të INSTAT në lidhje me tregtinë e jashtme tregojnë se gjatë muajit Prill 2021, rritja e eksporteve prej 92,3 %, është ndikuar edhe nga grupi  “Tekstile dhe këpucë” me +25,0 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, gjatë muajit Prill 2021, rritja e eksporteve gjatë këtij katërmujori me 34,9 %, krahasuar me një vit më parë është ndikuar pozitivisht edhe nga “Tekstile dhe këpucë” me +6,6 pikë përqindje.

Programi i qeverisë që doli nga zgjedhjet e 25 prillit për sektorin e manifakturës ka si synim të rrisë mbështejten e industrive me ndikim të gjerë punësimi si manifaktura duke lehtësuar procedurat e rekrutimit me 3 muaj integrim të rimbursuar për çdo punësim të ri.

Nxitjen e transformimit të proceseve të prodhimit duke mbështetur blerjen e makinerive të industrisë 4.0 nëpërmjet rritjes së indeksit të amortizimit nga 20% deri në 40%. Kështu do të lehtësohet barra tatimore dhe kompanitë do të kenë më shumë likuiditet.

Do të krijohet një fond kreditimi prej 50 milionë eurosh për manifakturen në rastet e ndryshimit të porosive për të përballuar kostot e ndërrimit dhe kalimit në linja prodhimi të reja (switching costs).

Do të krijohet programi “Inovacion dhe ekselencë në manifakturë” për trajnime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim të produkteve fasone nëpërmjet mbulimit të kostove të trajnimit 100%. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si 2-fish të tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar përfituesi.

Do të incentivohet bashkëpunimi midis ndermarrjeve të manifaktures duke përfshirë edhe Universitetin Politeknik të Tiranës për të përshpejtuar transferimet teknologjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë