Lajme

Fasonët drejt falimentit: Humbëm 70% të të ardhurave këtë vit

Mosrimbursimi i TVSH-së për një kohë të gjatë dhe zhvlerësimi i euros ka bërë që 500 sipërmarrës së Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve të humbin 70 % të të ardhurave të tyre gjatë vitit 2018-të.

Në një dalje publike pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme ku është analizuar situata ekonomiko-financiare e sektorit, Dhoma i ka kërkuar qeverisë një paketë emergjente masash për të nxjerrë nga kriza këtë sektor që është sipas saj shumë fitimprurës për ekonominë shqiptare.

Për Dhomën Kombëtare të Prodhuesëve të Veshjeve dhe Këpucëve, rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lek është një faktor i rëndësishëm që ka dëmtuar sektorin. “Mbivlerësmi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet e prodhimt fason. Të ardhurat e këtyre ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë. Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9% gjatë vitit 2018, do të thotë një zhvelërsim i njëjtë i faturimeve (të të ardhurave) për këto kompani. Theksojmë se fitimi mesatar i ndërmarrjeve të prodhimit fason është rreth 15 %, që do të thotë rënie e të ardhurave në masën 2/3 më pak vetëm për efekt të kursit të këmbimit”.
Dhoma bëri me dije se gjatë muajve të fundit ka patur një bllokim të rimbursimit të TVSH-së dhe për pasojë një bllokim të likuiditeve të këtyre kompanive, që ka sjellë asfiksimin e sektorit, sidomos në marrëdhëniet me nënkontraktorët.

Sipërmarrësit e sektorit kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Bankës së Shqipërisë për të stabilizuar kursin e këmbit euro-lekë.

E gjithashtu kërkojnë nga ana e Qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së sipas ligjit dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv.
Ata i kërkojnë Qeverisë të gjejë mjetet e nevojshme për të ndihmuar ndërmarrjet e prodhimit fason që të dalin nga gjendja e vështirë dhe të kontribuojë për stabilizimin dhe normalizimin e situatës ekonomiko-financiare të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë