Futboll

Fantazma e Hoze Mourinjos shëtit në Europë, nxjerr ekipet nga kriza

Në mes të shtatorit, “Special One” kishte pohuar se flet 5 gjuhë, por gjithashtu kishte thënë se kishte filluar të studionte gjermanishten, pasi do t’i duhet kur të punojë në Gjermani. Në atë kohë të gjithë menduan për Niko Kovaçin e shkretë, trajnerin e Bajernit që nuk u bë asnjëherë një person i dashur për bavarezët, pas nisjes së dobët të sezonit. Bajerni humbi me Dortmundin në Superkupë dhe barazoi në 2 nga 4 ndeshjet e kampionatit, por më pas erdhën 4 fitore radhazi, që larguan fantazmën që po vërtitet nëpër Europë, atë të Mourinjos.

Tani, pas humbjes me Interin në Champions dhe 3 barazimeve në kampionat, në rrezik është zvicerani Lucien Favre i Borusia Dortmund. Skuadra e tij nuk po bind dhe Mourinjo vitet e fundit është parë shpesh të flasë me Hans-Joakim Vatzke, presidentin e klubit verdhezi. Edhe pse drejtori sportiv Zorc ka thënë se trajneri nuk është në rrezik, “Bild” shkruan se kanë nisur kontaktet me Mourinjon. Dortmundi ka përpara ndeshjet me Shalken, Volfsburgun dhe Bajernin në kampionat, ndërsa në kupa ndeshet me Borusia Mënshengladbah dhe Interin. Dy javë “zjarri”, por edhe Favren mund ta shpëtojë fantazma e Mourinjos, që duket se sjell fat dhe kjo është vërtetuar.

Lucien Favre, trajneri i Borusia Dortmund, i rrezikuar për t'u larguar. Gazeta Si, 25 tetor 2019

Në fund të shtatorit, drejtuesit e PSG-së i hodhën sytë te portugezi, sidomos pas humbjes 2-0 me Reims. Gjermani Tuhel u kritikua shumë, ndërsa Mourinjo përgënjeshtronte: “PSG? Është e pamundur, nuk mund të shkosh në një ekip që e ka trajnerin”. Megjithatë, ai vlerësonte francezët për rritjen që kanë bërë, që do të thotë se e kishte një mendje për t’i drejtuar. PSG-ja më pas bëri 5 fitore radhazi… Më 16 tetor, tabloidët anglezë publikuan lajmin se Mourinjo do të ishte pasuesi i Poketinos. Pronari i Totenhemit, Daniel Levi, pas humbjes katastrofike 7-2 ndaj Bajernit, ishte gati ta mbulonte me ar portugezin, por ekipi reagoi shpejt me një barazim ndaj Uatfordit dhe fitoren 5-0 ndaj Crvena Zvezdës.

E njëjta histori edhe në Madrid. Në të njëjtën periudhë, Mourinjo thoshte: “Ishte një nder të punoja te Reali, por e ka një trajner”. Pozitat e Zinedine Zidane u lëkundën fort nga humbja me Majorkën më 19 tetor, e para e kampionatit, por që i mjaftoi Barcelonës ta parakalonte. Florentino Perez vuri një ultimatum për francezin, i cili reagoi fuqishëm. “Jam këtu prej 18 vitesh, por futbolli nuk ka memorie”, - tha Zidan, duke iu referuar 3 Championsve të fituar në stolin e madrilenëve. Dhe më pas erdhi ajo fitore në Stamboll ndaj Gallatasarajit. Kështu, Mourinjo ka gati një vit (dhjetor 2018), që shëtit nëpër Europë, duke kërkuar ekip. Fantazma e tij ka sjellë fat për shumë trajnerë dhe Favre shpreson që të ndodhë kështu edhe me Borusia Dortmund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë