Njerez

Familjet në Indi po shesin vajzat e tyre për të shlyer kreditë

Vajzat e reja në shtetin verior indian të Rajasthan po shiten si "shlyerje" për kreditë që prindërit e tyre nuk mund të përballojnë, tha institucioni kombëtar që mbron të drejtat e njeriut.

Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut ka lëshuar një njoftim për qeverinë e shtetit duke kërkuar një hetim policor dhe përgjigje brenda një muaji për atë që e quajti një praktikë "të neveritshme".

Njerëzit që jetojnë në zona rurale në Indi shpesh duhet të marrin hua nga bashkëfshatarët kur një anëtar i familjes sëmuret rëndë dhe ka nevojë për trajtim mjekësor.

Raportet e mediave lokale thonë se në shumë vende, nëse një familje nuk mund të shlyejë një hua, ato detyrohen të japin vajzën dhe shpesh herë më shumë se një vajzë, në varësi të borxhit.

Kështu, huadhënësi mund ta shesë vajzën tek trafikuesit për të rimarrë paratë e tij.

Në njoftimin e tij, komisioni tha se nëse familja refuzon të shesë vajzën e tyre, nënat do të përdhunohen sipas ‘ligjeve’ të tyre.

Ndër rastet e theksuara nga komisioni është ai i një burri që mori hua 1.5 milion rupi (15,800 paund) nga një fqinj i cili e detyroi të shiste motrën dhe vajzën e tij 12-vjeçare për të shlyer borxhin.

Në një tjetër, një burrë që mori hua 600,000 rupi (6,300 paund) kur gruaja e tij u sëmur dhe kishte nevojë për trajtim spitalor, nuk ishte në gjendje ta shlyente atë. Ai u detyrua të dorëzonte vajzën e tij të vogël tek huadhënësi, i cili më vonë ia shiti një trafikanti në Agra. Nga atje, "ajo u shit tre herë dhe mbeti shtatzënë katër herë", tha komisioni.

Zëdhënës të komisionit thonë se ky lloj krimi nuk është parë kurrë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë