Financa Personale

Familjet e vogla shpenzojnë më shumë për ushqime

Përbërja e familjeve sigurisht që ka edhe një ndikim në strukturën e shpenzimeve të familjeve. Numri i anëtarëve, nevojat e secilit prej tyre reflektohet edhe në mënyrën se si shpërndahen burimet ekonomike të familjes.
Kështu sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve për vitin 2018, familjet të cilat në përbërjen e tyre kishin tre ose më shumë të rritur me fëmijë shpenzonin për ushqime rreth 42% të totalit (shiko tabelën më poshtë). Në ndryshim prej tyre familjet që në përbërjen e tyre kishin vetëm 2 të rritur pesha e shpenzimeve për ushqime ishte se 48% e totalit të shpenzimeve, thuajse 6 pikë përqindje më shumë se familjet më të mëdha.
Shpenzimet e familjeve me shumë anëtarë janë më të larta për disa kategori të tjera shpenzimesh. Një familje me tre ose më shumë të rritur dhe me fëmije shpenzon më shumë për veshje dhe këpucë, ku në vitin 2018, pesha e shpenzimeve për këtë kategori në totalin ishte 4.7%. Ndërsa në familjet e vogla kjo kategori zinte 3.3% të totalit.
Shpenzimet për familjet me shumë anëtare janë më të larta edhe për transport, ku kjo kategori përllogaritet se zinte 7.7% të totalit, përkundrejt 5% që zinin në familjet me 2 anëtarë të rritur.
Po ashtu edhe shpenzimet për arsim ishin gati 3 pikë përqindje më të larta te familjet me shumë anëtarë dhe fëmijë, ku sipas të dhënave të INSTAT, zinin 4.1% të totali, përkundrejt 1.2% që zinin te familjet me vetëm 2 anëtarë të rritur.
Kategori të tjera ishin shpenzimet për argëtim dhe kulturë, me një peshë prej 3% të totalit te familjet e mëdha dhe vetëm 2.2% të familjet e vogla; shpenzimet për restorante dhe hotele me 4.6% përkundrejt 4.2% që ishte te familjet e vogla; kategoria të tjera mallra dhe shërbime ku familjet e madha shpenzonin 7.2% të totalit, apo rreth 1.3 pikë më shumë se familjet e vogla.
Megjithatë familjet e vogla kanë shpenzime më të larta për sa i përket shpenzimeve për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira të paguar, ku në totalin e buxhetit të familjeve me vetëm dy anëtarë zinin 11.6% të shpenzimeve. Po ashtu edhe shpenzimet për mobilimin e shtëpisë, blerjen e pajisjeve shtëpiake, apo mirëmbajtjes së zakonshme të banesës peshonin më shumë për familjet me pak anëtarë, ku sipas ABF 2018 ishin sa 6.1% e totalit.
Kur bëhet fjalë për shpenzimet ndaj shëndetit, familjet me 2 anëtarë kanë një peshë më të lartë të kësaj kategorie me 5.7% të totalit, 1.4 pikë përqindje më shumë se familjet me tre ose më shumë të rritur dhe fëmijë.
Anketa e Buxhetit të Familjes është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe jep një panoramë të situatës socio-ekonomike të NjEF në Shqipëri. Anketa e Buxhetit të Familjes 2018 u krye nga INSTAT përgjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.384 NjEF. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.559 NjEF të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë. /Monitor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë