Futboll

Familje, golf dhe restorant! Kështu Pep Guardiola përgatitet për finalen

Gazeta Si – Receta është e thjeshtë: mos u mendo shumë. Pep Guardiola po përgatitet për finalen e madhe të sezonit në mënyrën e tij. Si? Duke e ‘stakuar’ trurin.

"Sipas eksperiencës sime, mënyra më e mirë për të përgatitur një finale është të ‘stakohesh’ nga gjithçka. Edhe fizioterapistët dhe kuzhinierët tanë kanë nevojë, punojnë 10 orë në ditë. Është një periudhë stresuese”, - thotë trajneri i Mançester Sitit.

‘Qytetarët’ do të luajnë dy javët e ardhshme dy finale, më 3 qershor atë të FA Cup kundër Mançester Junajtid dhe më 10 qershor ndaj Interit në Ligën e Kampionëve. Ja çfarë këshillon trajneri katalanas për këto dy ndeshje të rëndësishme:

Guardiola me familjen. Gazeta Si, 27 maj 2023

“U kam thënë të gjithëve të rrinë me familjet e tyre, të luajnë golf dhe të bëjnë atë që duan. Diuhet të stërviten pak, por duke bërë ekzaktësisht atë që kemi bërë për të shkuar në finale. Unë do të rri me vajzën time, do të shkojmë në restorante të mira. Nukm e harroj futbollin, por… Bëni çfarë të doni, në rregull jemi. Duhet relaksim sa më shumë të jetë e mundur dhe të ruhet forma e lojës".

"Gjithsesi, kam një plan për Mançester Junajtid dhe Interin, - shton Guardiola. – Duhet të shoh cilët lojtarë kam në dispozicion dhe në çfarë gjendje janë. U impresionova kur pashë Junajtid. Interi? Do të merrem javën tjetër, këtë javë jam përqendruar te Junajtid".

Në fund edhe një batutë për faktin që Mançester Siti këtë sezon, pas titullit, mund të bëjë 'Treble': "Lojtarët e dinë mirë në çfarë pozicioni jemi. Ndodh një herë në jetë ta fitosh titullin 3 javë para fundit të kampionatit dhe pastaj të luash dy finale. Tani të relaksohemi, ta shiojojmë momentin dhe të bëjmë më të mirën. Askush nuk mund të thotë se do ta kemi përsëri një rast të tillë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë