Hasan Prishtina, deri në frymën e fundit punoi për bashkimin e shqiptarëve, por sot, 85 vite nga vrasja e tij, ky emër ka ngjallur një debat të lindur nga një status i kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Eshtrat e Hasan Prishtinës prehen sot në varrezat e dëshmorëve në qytetin e Kukësit dhe në përvjetorin e vdekjes së patriotit shqiptar, Kadri Veseli njoftoi se u kishte dërguar një letër institucioneve në Tiranë ku u kërkonte transferimin e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kosovë, pranë varrit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit.
“Kosova nuk i harron bijtë e vet, heronjtë e saj. Ata, si gjithmonë, kthehen të fundit nga betejat!”, mbyllte postimin e tij kreu i Kuvendit të Kosovës.
Por, kundërshtimin e parë për këtë kërkesa e ka marrë nga pasaardhësit e patriotit, të cilët thonë se Hasan Prishtinë i takon gjithë kombit shqiptar.
“Hasan Prishtina është i Shkupit, i Tiranës, i Prishtines, i Plavë e Gucisë, i Shkodrës e Vlorës, i Prevezës, Manastirit, Ohrit e Tetovës, Preshevës e Pazarit të Ri. Ashtu siç luftoi Hasan Prishtina për të rrëzuar muret ndarëse midis shqiptarëve, edhe unë bashkë me familjen e madhe, me shumë miq e shokë nga të gjitha anët e botës, kërkojmë që të mos lëvizet nga varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, që prehet në qytetin e Kukësit!”, thuhet në deklaratën e Mehmet Prishtinës, nip i Hasan Prishtinës.

Për politikën në Tiranë e Prishtinë, familjarët kanë vetëm një apel.
“Ata duhet që bashkë me institucionet e shtetit shqiptar, të kujdeseshin që në Vlorën e Pavarësisë krahas shtatoreve të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e tjerëve patriotë të vendoset edhe Hasan Prishtina në Sheshin e Flamurit, siç u vendos në Prishtinë e më vonë, edhe në Shkup e Tiranë dhe përfundimisht në qytetin shqiptar në Kukës të derdhet në bronz shtati i shenjtë e i shtrenjtë i Hasan Prishtinës, pasi aty afër e ka edhe varrin, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë”, vijon më tej deklarata e familjarëve.
Në 2014, në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, Mehmet Prishtina u pyet për të njëjtën temë. Në atë kohë ai shprehej për zhvendosjen e tyre, por jo në drejtim të Prishtinës, por në drejtim të Tiranës, aty ku ndodhen varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.