Lajme

Familjarët e Kaçifas apel Tsipras dhe Ramës


Vangjelis Saqelaraqis, kunati i Kostandinos Kaçifas, i vrarë të dielën ne Bularat tha se familja kërkon të marrë trupin e të ndjerit për ta varrosur, ndërsa nga prokuroria ende nuk marrë asnjë përgjigje. Saqelaraqis, që njihet edhe si një prej miqve të ngushtë të Kaçifas, tha se familja nuk dëshiron më tepër zvarritje, ndërsa ishte shumë kritik ndaj të dyja qeverive, që po e përdorin këtë ngjarje për motive politike.

“Siç na ishte kërkuar, shkuam në Tiranë të takojmë prokurorin, bashkë me avokatin tonë për këtë çështje, por prokurori priti vetëm xha Janin, pa praninë e avokatit, dhe e pyeti për më shumë se 3 orë. Kjo çështje ka ngecur, nuk e dimë përse. Ne kërkuam të marrim Kostandinin për ta varrosur, por nuk na e dhanë trupin", tha ai për mediat.

"Unë dua t’i drejtohem kryeministrit tonë Tsipras dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama që të merren vesh mes tyre për ta zgjidhur çështjen. Nëse të duash flamurin, të flasësh gjuhën tënde dhe të besh kryqin është ekstremizëm, atëherë ne jemi ekstremistë, përfshi edhe mua, të dashur vëllezër. Këta që rrinë në karrige dhe marrin vendime për ne nuk janë ekstremistë? Ne duam të varrosim të vdekurin tonë. Nuk jam dakord, as unë, as familja, me ata që thonë se do të vijnë në turma me flamuj, protesta e tambure. Nuk i donte këto gjëra Kostandini. Politika duhet të marrë masa që gjëra të tilla mos përsëriten”, tha Vangjelis Saqelaraqis.

Familja duket se nuk ngre pretendime të tjera mbi ekspertizën mjekoligjore të viktimës. Ata tani kërkojnë trupin për të kryer ceremoninë mortore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë