Muzike

“Fall on me”, dueti i Bocellit me të birin, që po na përlot të gjithëve

“Kushdo që është prind, kushdo që e njeh përgjegjësinë e çmuar të të qenit nënë apo baba  do e mbërthejë plotësisht kuptimin e kësaj pjese”, shkruan Andrea Bocelli, ndërsa kënga që ka publikuar së fundi, e titulluar “Fall on me”, është dueti i tij i parë me të birin, Matteo Bocelli.

https://www.youtube.com/watch?v=ChcR2gKt5WM

Me këtë këngë, Andrea Bocelli ka ditur sërish të befasojë publikun me muzikën e tij. Përpara promovimit të albumit të tij të fundit, “Si”, një prej këngëtarëve më të famshëm jo vetëm italianë, por të skenës botërore, ka bashkuar forcat me të birin, Matteo-n, performanca e të cilëve është si balsam për shpirtin. Është nga ato këngë që mund ta dëgjosh përsëri e përsëri, për orë të tëra.

Mendoja se herët a vonë

Dritat nga lart

Do të zbresin në rrathë dhe drejt dashurisë do t’më prijnë ...

...Dua të luftoj për këtë e  ta mbaj këtë peshë

Por në çdo hap pyes veten

Se ç’është e vërtetë

Këndon Mateo Bocelli, ndërsa  kërkon prej së larti, të bjerë urtësia që do e udhëheqë të riun në udhën e tij:

Bjer në mua

Me krahë të  hapur

Bjer në mua

Kudo ku ti je

Bjer në mua me gjithë dritën tënde

Thirrjes së të birit i përgjigjet dashuria dhe përvoja e të atit, që e qetëson të riun me këshillat e tij prindërore:

Shpejt një dritë do të të ndrijë

Ndiqe ngaherë, të të prijë do të dijë

Ti mos u dorëzo, kujdes të mos përhumbesh

Dhe e shkuara do të ketë kuptim për ty

Do të doja besim tek vetja të kishe, por po

Në çdo rast që do të lëvizësh këtu

Është një rrugëtim i pafund

Do të buzëqesh nëse

Në kohën që ngarend, me vete më merr

Edhe videoklipi i kësaj kënge, ku atë e bir luajnë në piano, me shpinat kthyer si simbol i kësaj kënge, mbështetja që një atë do të sigurojë gjatë gjithë jetës për bijtë e tij, është gjithaq emocionues. Muzika e Bocelli-t ka prekur shpirtra gjithmonë.

Andrea Bocelli ka qenë i verbër prej fëmijërisë. Në rini, mund të shihte ngjyrat dhe dritën por një ditë, gjatë një loje futbolli u godit në syrin e djathtë. Prej asaj kohe , ai nuk sheh më asgjë.  Mjekët janë përpjekur t’i kthejnë shikimin me disa operacione, por të gjitha përpjekjet rezultuan pa sukses. Por një atë sheh me sytë e zemrës:

I mbyll sytë

Dhe të shoh ngado

Hedh një hap jashtë

Ngjan se  në ajër të frymëmarr

Mund të të ndiej atje

Ndërsa në një marrëdhënie sublime të dashurisë dhe besimit atë e bir bashkojnë zërat në refren:

Bjer në mua

Dëgjomë

Bjer në mua

Përqafomë

Aq kohë sa do t’duash

Aq kohë sa do t’duash

Aq kohë sa do t’duash

Aq kohë sa do t’duash

Albumi i tij  i ri, ‘Si’ fokusohet në mesazhin e fuqisë së  mirë që ka dashuria, familja dhe muzika. Albumi do të dalë gjatë muajit tetor.

Përgatiti: Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë