Biznes

Falimentimet e bizneseve në BE në nivelin më të lartë nga 2015

Nga Gazeta 'Si' - Në tremujorin e dytë të këtij viti, numri i deklaratave të falimentimit të bizneseve të BE-së, u rrit për të gjashtin tremujor radhazi, referuar të dhënave të Eurostat.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, numri i falimentimeve është rritur me 8.4% dhe ka arritur kështu nivelin më të lartë, që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në 2015.

Kur bëhet fjalë për regjistrimet e bizneseve të reja, krahasuar me tremujorin paraardhës, pas një rritjeje prej 2% në tremujorin e parë të vitit, këto janë ulur lehtësisht me 0.6% në tremujorin e dytë 2023.

Në përgjithësi, që nga viti 2023, numri i regjistrimeve të bizneseve, ka qenë më i lartë se në periudhën 2015-2022.

Deklaratat e falimentimeve, u rritën më së shumti në shërbimet e akomodimit dhe ushqimit

Duke parë konkretisht falimentimet sipas aktivitetit, të gjithë sektorët e ekonomisë shënuan rritje të numrit të falimentimeve në tremujorin e dytë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Shërbimet e akomodimit dhe ushqimit (23.9%), transporti dhe magazinimi (15.2%) dhe arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale (10.1%), ishin sektorët me rritjen më të lartë të numrit të falimentimeve në tremujorin e dytë të 2023, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Krahasuar me tremujorin e katërt para pandemisë 2019, numri i deklarimeve të falimentimeve në tremujorin e dytë 2023, ishte më i lartë në shumicën e sektorëve të ekonomisë.

Rritjet më të mëdha të numrit të falimentimeve, krahasuar me tremujorin e katërt 2019, janë shënuar në shërbimet e akomodimit dhe ushqimit (82.5%) dhe transportit dhe magazinimit (56.7%).

Në të kundërt, në tremujorin e dytë të 2023-shit, kishte vetëm dy sektorë të ekonomisë ku numri i deklarimeve të falimenteve, ishte më i ulët se në tremujorin e katërt para pandemisë 2019: industria (11.5%) dhe ndërtimi (2.7%).

Krahasimi tremujor sipas shteteve anëtare

Duke krahasuar tremujorin e dytë të 2023, me tremujorin e parë të 2023, midis shteteve anëtare për të cilat disponohen të dhëna, rëniet më të mëdha në regjistrimet e bizneseve të reja, u vunë re në Poloni (11.3%), Bullgari (9.1%) dhe Danimarkë (9%).

Rritjet më të mëdha në regjistrimet e bizneseve të reja, janë vërejtur në Irlandë (50.9), Sllovaki (30.2 %) dhe Gjermani (9.6%).

Duke krahasuar tremujorin e dytë të vitit 2023, me tremujorin e parë të 2023, rritjet më të larta në deklaratat e falimentimit, u vunë re në Hungari (40.8%), Letoni (24.8%) dhe Estoni (24.6%).

Uljet më të mëdha në numrin e deklarimeve të falimentimeve, u regjistruan në Qipro (48.5%), Kroaci (23.6%) dhe Danimarkë (15.9%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë