Biznes

Falimentim zinxhir i fasonëve, rreth 1 mijë shqiptarë dalin të papunë brenda janarit

Nga Gazeta ‘SI’ - Biznesi i fasonëve po tkurret më shpejt nga se ishte parashikuar. Pas njoftimit se në fundjavë mbetën pa punë 550 punonjës, shoqata ka njoftuar se do të largohen edhe rreth 800 të tjerë deri në fund të janarit.

Përveç shkurtimeve në punë, ‘Pro-Eksport’ ka njoftuar dhe për mbylljen totale të katër kompanive si dhe zhvendosjen e njërës në Tunizi.

“’IMES ALB CËRRIK’  80 veta në asistencë mbyllet sot. ‘DONCHRIS 2’, 47 punëtorë, mbyllur në dhjetor 2023.  ‘SUPREME BRUNO’ nga 140 veta sot ka 20,por për një javë mbyllet fare ‘MERLICA’ shpk 100 veta mbyllur. ‘KRAL SHOES’ punon me kapacitet 70% se 30% spostuar në Tunizi dhe shumë shpejt do transferohet i  gjithë prodhimi”, njofton shoqata për mediat.

Dy vitet e fundit industria e fasonëve u përball me një krizë intensive të fuqisë punëtore duke i shtuar atyre kostot dhe ulur fitimet. Mungesa e punonjësve u bë shkak për largimin e shumë investitorëve të huaj. Duke qenë se është një sektor që punon kryesisht për eksport, zhvlerësimi mbi 20% i euros brenda një viti ishte goditja tjetër për ta.

Që prej gjysmës së dytë të vitit 2023, përfaqësuesit e fasonëve dhe eksportuesve i kanë kërkuar ndihmë qeverisë për të mos falimentuar. Kryeministri Edi Rama iu përgjigj dy ditë më parë (13 janar) duke mohuar mundësinë e ndihmës dhe duke i kërkuar përshtatjen me ekonominë e re.

“Kjo ditë do vinte dhe nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar. Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë”, u shpreh kreu i qeverisë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë