Arsim

Fakulteti i Shkencave të Natyrës nuk plotëson kuotat edhe pse janë përgjysmuar me 50 për qind

Nga Gazeta Si- Prej 5 vitesh, fakulteti i Shkencave të Natyrës pjesë e universitetit të Tiranës po njeh tkurrje të numrit të studentëve që preferojnë degë si Fizika, bio-kimia e disi më pak Matematika.

Nëse 5 vite më parë kuotat e planifikuara nga departamentet e këtyre degëve varionin 70-100 kuota ku të realizuara mund të ishin afro 50-60 të tilla, këtë vit të ri akademik 2023-2024 numri i tyre është vetëm 27 studentë në 3 degët e përmendura. Burime zyrtare nga fakulteti i Shkencave të Natyrës konfirmuan për Gazetasi.al se këtë vit, megjithëse kuotat e programuara nga departamentet janë ulur me 50 për qind, sërish numri i regjistrimeve është shumë herë më pak se vitin e kaluar.

Më keq nga të gjitha lëndët paraqitet fizika ku vetëm 7 studentë janë regjistruar për të ndjekur studimet. Më pas renditet kimia me 5 studentë dhe matematika me 9 studentë.

“Ka disa vite që numri po rrudhet dhe kërkesat për këto degë po ulen gjithnjë e më shumë. Diçka më ndryshe paraqitet matematika, kurse fizika e kimia janë degë gjithnjë e më pak të kërkuara. Kjo lidhet dhe me tregun e punës, ku edhe në shkolla nuk ka kërkesa për mësues të lëndës së fizikës dhe kimisë, pasi në gjimnaze lënda e fizikës është bërë me zgjedhje”, thonë burimet nga fakulteti i Shkencave të Natyrës”.

Raundi i lirë, shpresa për rritje të numrit të studentëve në fakultet

Shpresa e departamenteve të fakultetit të Shkencave të Natyrës mbetet raundi i lirë i regjistrimeve ku do të jenë studentët jo fitues që do të shohin për mundësi zgjedhje në kuotat e lira që do të shpallin fakultetet.

Në datën 4 tetor do të çelen dhe aplikimet për fazën e lirë të regjistrimeve e megjithatë problem mbetet mesatarja e të rinjve që do të përzgjedhin degët e mësuesisë në degët e shkencave të natyrës.

“Problem mbetet se rrezikohet që në degët me më pak kuota si matematika, fizika dhe kimia të afrohen studentë me mesatare 6.5 dhe kjo do të ndikojë në cilësinë e produktit që do të dalë nga ky fakultet”, thonë ekspertët e arsimit.

Bujqësori drejt reformës kurrikulare, pak kuota në disa degë

Por nëse interesi për degët e shkencave të natyrës ka rënë ndjeshëm, në universitetin Bujqësor të Tiranës problemi që konstatohet këtë vit të ri akademik janë degët e hapura vitet e fundit dhe që duket se zëvendësojnë njëra-tjetrën, siç janë agronomia dhe vreshtaria. Ndërsa për degën e Agronomisë, interesi vijon të jetë relativisht i lartë, për vreshtarinë këtë vit akademik ka shumë herë më pak kërkesa. Për këtë arsye, ministria e Arsimit ka menduar të grupojë disa degë në një kurikul mësimore duke mos lejuar të qëndrojnë të hapura më kot kur nuk thithin interesin e studentëve.

Ministrja Manastirliu në një deklaratë për mediat e ka theksuar nevojën e një reforme kurrikulare në disa departamente të fakulteteve ku është konstatuar rënie drastike e numrit të regjistrimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë