Lajme

Facebook “vë mend”! Forcohen rregullat e reklamimeve politike

Facebook e ka marrë mësimin pas akuzave të forta të adresuara ndaj rrjetit social më të madh në botë për ndikimin që pati në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara në 2016.

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg njoftoi po përmes platformës së vet katër ndryshime themelore, që do të aplikohen për të gjitha reklamimet politike në të.

Së pari, çdo reklamë politike në periudhë zgjedhore në SHBA, qoftë për zgjedhjet presidenciale, qoftë për Kongresin duhet të shoqërohet me informacion të bollshëm se kush e paguan atë.

Së dyti, kur përdruesit kërkojnë të informohen më shumë rreth reklamës, do t’u mundësohet transparenca për shumën e paguar dhe sa njerëz e kanë parë atë reklamë, të ndarë sipas moshës, vendndodhjes dhe gjinisë.

Së tretim Facebook do të krijojë një shtojcë të posaçme për të gjithë personat apo subjektet politike që duan të reklamojnë dhe në këtë shtojcë të gjitha reklamimet do të ruhen dhe jenë transparente për shtatë vite pas momentit të parë të publikimit.

Së katërti, të gjithë personat që duan të reklamojnë një person a subjekt politik, do t’u duhet që të verifikojnë identitetin dhe vendndodhjen e tyre.

“Kemi testuar këtë sistem prej muajsh tashmë, por jemi të vetëdijshëm që nuk ka për të qenë perfekt dhe nëse shihni në rrjetin tonë një reklamim që nuk shoqërohet me të dhënat e mësipërme, raportojeni tek ne për ta shqyrtuar”, thotë Mark Zuckerberg.

Bosi i Facebook e pranon që në 2016, platforma e tij u shfrytëzua nga rusët.

“Këto ndryshime nuk korrigjojnë gabimet e shkuara, por do të bëjmë thuajse të pamundur për këdo në të ardhmen që kërkon të bëjë atë që bënë rusët gjatë vitit elektoral në 2016, që hapën llogari dhe faqe të rreme për të drejtuar reklamime politike që synonin devijimin e elektoratit amerikan”, thotë ai.

Mark Zuckerberg dha llogari këtë javë para deputetëve të Parlamentit Europian në lidhje me shkeljen e privatësisë së përdoruesve dhe përdorimit të të dhënave të tyre në mënyrë abuzive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë