Lajme

Facebook në vendnumëro: Nuk i fshijmë lajmet e rreme

Përmes një deklarate të gjatë të publikuar edhe në rrjetet e tij sociale, Mark Zuckerberg deklaronte dy prioritete që i kishte vendosur vetes për këtë vit: privatësinë e përdoruesve dhe luftën kundër lajmit të rremë.

Deklarata mbërrinte pas presionit me të cilin u ndodh ai dhe i gjithë Facebook me shpërthimin e skandalit të Cambridge Analytica, ku të dhënat personale të të paktën 80 milionë përdoruesve ishin marrë dhe përdorur pa dijeninë e tyre për fushatën zgjedhore në Shtetet e Bashkuara.

Pasi raportoi para Kongresit amerikan dhe Parlamentit britanik, Zuckerberg u zotua për më shumë punë në drejtim të forcimit të privatësisë, por edhe të luftës kundër lajmit të rremë, që përhapet me shpejtësi në rrjet.

Megjithatë, kur kanë kaluar vetëm pak muaj, Facebook bën prapakthehu. Rrjeti social më i madh në botë njoftoi se nuk ka ndërmend që të fshijë lajmet e rreme pasi ato nuk bien ndesh me rregullat e tij të përdorimit.

Facebook thotë se për një ngjarje të caktuar ka kendvështrime të ndryshme dhe fshirja e kendvështrimeve, që mund të cilësohen kryekëput lajm i rremë bie ndesh me lirinë e shprehjes.

Të mërkurën, drejtuesit e Facebook organizuan një takim me gazetarët më të zëshëm në Nju Jork, ku temë ishte pikërisht lajmi i rremë dhe keqinformimi. Kompania e Zuckerberg foli për “përpjekjet” që po bënte në këtë drejtim, por gazetari i CNN Oliver Darcy e gozhdoi me një pyetje të vetme.

“Si po e luftoni lajmin e rremë kur në platformën tuaj ekziston ende si fanpage InfoWars?!”, pyeti ai.

InfoWars ka mbi 900 mijë ndjekës në Facebook dhe themeluesi i saj, Alex Jones mbi 2.4 milionë të tillë në kanalin e vet zyrtar në Youtube. Ky kanal është i njohur për teoritë konspirative dhe lajmet e rreme. Një prej tyre ishte edhe raportimi se sulmi me armë në shkollën Sandy Hook në SHBA në vitin 2012 ishte fabrikuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë