Lajme

FA në gatishmëri në raste zjarri, Xhaçka tregon masat e marra

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” ka bërë të ditur se Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë që mund të vijë nga shkaqe natyrore.

“Drejtoria e Emergjencave Civile ka qenë këto ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me specialistët e Emergjencave Civile në Prefektura, me stacionet e MZSH-së në bashkitë e qarqeve, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe me pika të tjera të kontaktit në nivel qendror dhe vendor. Nga parashikimet e marra edhe nga IGJEUM, (Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit), në të gjithë territorin e vendit nuk ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme apo premisa për ndodhjen e tyre. Së bashku me Forcat e Armatosura do të jemi në ndihmë të strukturave të pushtetit vendor, për të ndihmuar në rast të situatave të zjarreve”, shkruan ministrja.

Në fund ministrja u ka bërë apel qytetarëve që të bashkëpunojnë.  

“Edhe një herë u bëj apel qytetarëve, të bashkëpunojnë, që të shmangim pasojat që mund të sjellin fatkeqësi të ndryshme, veçanërisht në këto ditë të nxehta si edhe të rrisin përgjegjësinë e tyre individuale. Çdo veprim abuziv, i kryer nga pakujdesia apo me paramendim ndëshkohet me ligj”, deklaron ministrja Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë