Lajme

F8, Mark Zuckerberg kërkon të rifitojë besimin e humbur

Mark Zuckerberg thërriti konferencën vjetore F8, një event që mbledh mijëra programues nga e gjithë bota, të cilët eksplorojnë mundësitë që ofron Facebook për ta dhe diskutohet një gamë e gjerë idesh, produktesh e ofertash, që nga inteligjenca artificiale e deri tek realiteti virtual.

Por, ndryshe nga herët e tjera, konferenca e këtij viti mbërrin pas skandalit të Cambridge Analytica dhe marrjes të të dhënave personale të përdoruesve të rrjetit më të madh në botë, pa siguruar më parë miratimin prej tyre.

E gjithë kjo ka vendosur nën një shënjestër të pazakontë Zuckerberg dhe në mes u vunë edhe ligjvënësit amerikanë e britanikë, që kërkuan sqarime mbi politikat e privatësisë dhe të aksesit që palët e treta kanë në të dhënat personale të përdoruesve të Facebook.

Kjo duket se ka vënë kundër themeluesit të rrjetit më të madh social në botë edhe programuesit, të paktën disa prej tyre.

“Ti e vrave këtë platformë! A është ky fillimi i fundit të Facebook?”, ishte njëri prej qindra komenteve kritikuese në forumin e hapur nga Mark Zuckerberg posaçërisht për konferencën vjetor F8.

Shumë programues fajësojnë Mark Zuckerberg se ka “betonizuar” rregullat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit, ndërsa situata duket e nderë edhe brenda kompanisë, pas raportimeve se bashkëthemeluesi i WhatsApp ka thënë dorëheqjen si pasojë e përplasjeve të brendshme për politikat e sigurisë dhe të privatësisë së përdoruesve në Facebook.

Megjithatë, për shumë analistë, konferenca vjetore e organizuar nga Mark Zuckerberg ka edhe një anë tjetër të medaljes. Me mbi 5 mijë pjesëmarrës dhe një audiencë të përzgjedhur, thonë ata, ai ka mundësinë që të “korrigjojë” gabimet e shkuara dhe të rifitojë besimin e humbur mes programuesve dhe vetë përdoruesve të platformave të tij.

Për t’iu larguar ciklonit të kritikave që shkaktoi skandali i “Cambridge Analytica”, në fillim të prillit Facebook nisi informimin e 2.2 miliardë përdoruesve e tij nëse të dhënat e tyre janë përdorur nga palë të treta, apo jo.

Rrjeti më i madh shoqëror online nisi të dërgojë përdoruesve të vet një njoftim në sektorin e furnizimit me lajme (News Feed), ku të gjithë mund të verifikojnë nëse të dhënat e tyre personale janë përdorur nga aplikacione të ndryshme ose jo.

“Mbrojtja e informacionit tënd”, (Protecting Your Information) ka në përmbajtje një link që adreson përdoruesit e Facebook në një sektor të ri, ku u shfaqen aplikacionet e treta që ata përdorin përmes kësaj platforme dhe të dhënat që këto aplikacione kanë marrë prej tyre.

Facebook thotë se të gjithë përdoruesve, të dhënat e të cilëve janë marrë nga “Cambridge Analytica” do t’u bëhet e qartë kjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë