Motosport

F1 ul buxhetin, jo më shumë se 145 mln shpenzime nga skuadrat

Skuadrat e Formula 1 mund të shpenzojnë maksimumi 145 milionë dollarë për sezonin e ardhshëm dhe shuma më të vogla në sezonet e tjera që vijnë më pas. Ky është vendimi që ka marrë së fundi Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), duke aprovuar kështu një limit në buxhetin e skuadrave.

Buxheti tavan do të zbresë në 140 milionë dollarë për vitin 2022 dhe në 135 milionë dollarë për vitet 2023-2025, duke llogaritur gjithmonë një sezon me 21 gara. “Formula 1 fiton sot. Ky është një moment kyç për sportin tonë, - ka deklaruar administratori i deleguar i skuadrës McLaren, Zak Braun, i cili në fakt ka dashur një limit edhe më të ulët. - Financiarisht është e papërballueshme që të jetë si më parë dhe ishte në rrezik serioz e ardhmja e Formula 1 dhe e skuadrave pjesëmarrëse”.

Kriza e pandemisë nga koronavirusi ka goditur thuajse të gjithë sportet në botë dhe pritej që të kishte ulje shpenzimesh, aq më tepër në automobilizëm, ku kostot janë jashtëzakonisht të larta. Sezoni i ri i Formula 1 pritet të nisë në fillim në muajit korrik, në Austri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë