Motosport

F1, Singapori: Garë me publik ose tërhiqemi

Çmimi i Madh i Singaporit i parashikuar për në 20 shtator, nuk mund të zhvillohet me dyer të mbyllura. Lajmin e kanë bërë të ditur “Straits Times”, e përditshmja e qytet-shtetit, sipas së cilës organizatorët kanë vënë në dyshim zhvillimin e garës, 16-ta në kalendarin e Botërorit 2020 të Formula 1, që ka ndryshuar disa herë, përpara se pandemia e Covid-19 të trondiste gjithë sportin botëror.

“Nuk është e mundur të zhvillojmë garën me dyer të mbyllura. Edhe pse përparësia kryesore mbetet mirëqenia dhe siguria e tifozëve tanë, vullnetarëve dhe të gjithë qytetarëve të Singaporit”, ka shpjeguar një zëdhënës. Gara e vitit të kaluar në pistën e Marina Bay është ndjekur nga 268.000 spektatorë gjatë tre ditëve. Aktualisht, Singapori llogarit gati 27.000 raste me koronavirus dhe qeveria ka urdhëruar lockdown në nivel kombëtar që duhet të zgjasë deri në 1 qershor.

Formula 1 po planifikon të fillojë kampionatin 2020 në korrik, me garat në Austri dhe Britaninë e Madhe, që do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Deri tani, tre Çmime të Mëdha janë anuluar (Australia, Franca, Monako) dhe shtatë të tjerë janë shtyrë (Azerbajxhan, Bahrejn, Kanada, Kinë, Spanjë, Holandë dhe Vietnam). Organizatorët e GP Singapore, sidoqoftë, kanë sqaruar se po mbajnë të hapur dialogun me FIA dha e Liberty Media.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë