Motosport

F1/ Renault prezanton makinën e re

Makina franceze Renault, që këtë sezon do të quhet Alpine, bëri prezantimin zyrtar të makinës së saj në prag të Botërorit të Formulës 1, që do të nisë më 26 mars me Çmimin e Madh të Bahreinit. Ish-skuadra kampione e botës që u rikthye në Formula 1 në vitin 2016, pasi arriti të blejë Lotusin e falimentuar, do të pilotohet nga spanjolli Fernando Alonso dhe Esteban Ocon.

Renault ka bërë investime të rëndësishme te makina e re. A521 është tërësisht e zezë dhe në disa vende të saj janë ngjyrat e flamurit francez. Një njëvendëshe disi agresive në pamjen e parë, që synon të jetë kompetitive në pistë. “Ne duam t’i japim një identitet të fortë markës tonë në Formula 1. Kjo nuk do të jetë makina përfundimtare, por shpresojmë që deri në mars të kemi një njëvendëshe të fortë, të shpejtë dhe konkurruese”, – tha Antony Villain, drejtori i Alpine.

Pandemia Covid-19 ka bërë që sezoni 2021 në Formula 1 të pësojë ndryshimet e para në kalendarin e garave. Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, Liberty Media ka bërë me dije se botërori 2021 do të nisë më 28 mars, në Bahrejn. Starti i sezonit nuk do të jetë në Australi, por në Bahrejn, ku pas një muaji do të zhvillohen edhe testet dimërore. Gara e Australisë është shtyrë për më 21 nëntor: një shtyrje me tetë muaj dhe një lloj kthimi “i papritur” në të lashtën, kur GP i Australisë zhvillohej në cirkuitin qytetas të Adelaides për një dekadë të tërë (nga 1985 në 1995), që u mbyll me kalimin e garës nga gara e fundit në të parën e Kampionatit Botëror dhe transferimin e saj në Melburn. Rikthehet në kalendar gara e Imola (Itali), që do të zhvillohet më 18 prill, datë që ishte lënë bosh në kalendarin e mëparshëm.

Formula 1 është ende duke ndjekur situatën që do të paraqitet muajt e ardhshëm nga pandemia Covid-19. Në vitin 2020, organizatorët u detyruan që ta nisnin sezonin në muajin korrik dhe të reduktonin numrin e garave, për të shpëtuar sezonin. Një problematikë e ngjashme mund t’i ndjekë edhe këtë vit, por gjithçka pritet që të mirë-mendohet, për të evituar çdo surprizë të pakëndshme gjatë rrugës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë