Motosport

F1, Hamilton: Nuk i kam kërkuar askujt të gjunjëzohet

Çmimi i Madh i Austrisë në F1 është përfolur edhe për gjestin simbolik të pilotëve, që u gjunjëzuan në start në shenjë proteste kundër racizmit, por Leclerc e Verstappen vendosën të mos e bëjnë. Sipas disa zërave, nuk kanë qenë dakord me Lewis Hamilton, lider i protestës në mbështetje të lëvizjes “Black lives matter”. “Nuk kam kërkuar ose pretenduar kurrë që dikush të gjunjëzohet. Nuk kam folur madje për këtë çështje. Kanë qenë F1 e Grand Prix Drivers’ Association që e kanë bërë”, është përgjigjur kampioni anglez i Mercedes.

“Unë vetëm kam përshkruar një skenar në bazë të të cilit heshtja ishte e njëjtë me përfshirjen”, ka shtuar ai, ndoshta në përgjigje të një artikulli të tabloidit britanik Daily Mail në të cilin lexohet se “privatisht, një numër pilotësh janë bezdisur nga insistimi i Hamilton për ti detyruar të gjunjëzohen” gjatë një mbledhje të GPDA të zhvilluar të premten në mbrëmje.

Leclerc, pak para se të startonte gara, kishte njoftuar vendimin e tij në Twitter: “Besoj se ajo që ka rëndësi janë faktet e sjelljet në jetën tonë të përditshme sesa se gjeste formale që mund të konsiderohen të diskutueshme në disa vende. Nuk do ulem në gjunjë, por kjo nuk do të thotë se jam më pak i përkushtuar se të tjerët në luftën kundër racizmit”.

Vendim i njëjtë për Max Versappen: “Mendoj se të gjithë kanë të drejtën të shprehen kur duan e si duan – ka deklaruar ai në Twitter -. Nuk do gjunjëzohem, por respektoj e mbështes zgjedhjen e secilit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë