Muzike

Eurovision 2019 – Jonida Maliqi na çon në finale

Ti këndon edhe qan… janë vargjet e “Ktheju Tokës”, të cilën këngëtarja shqiptare e performoi natën e dytë të Festivalit të Këngës Eurovision, në Tel Aviv, ndërsa fare mirë mund të përshtatej me “Ti këndon dhe kualifikohesh”.  Me një fustan të zi  që evokonte kostumet tradicionale, me detaje të arta, me zë potent dhe performancë të çlirët para publikut izraelit, në Expo Tel Aviv, Jonida Maliqi arriti ta çojë Shqipërinë në finale, duke u renditur mes dhjetë finalistëve të natës së dytë së bashku me fqinjët e Maqedonisë së  Veriut, Holandën, Suedinë, Rusinë, Azerbajxhanin, Danimarkën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Maltën.

Maliqi përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 64-t të Eurovision, pasi fitoi Festivalin e Këngës, të cilit iu rikthye pas shumë vitesh mungesë. Ishte këmbëngulja e kompozitores Eriona Rushiti që e risolli Maliqin, e rritur në skenën e festivalit të këngës në RTSH. Kënga që u zgjodh të këndohet në gjuhën shqipe është një thirrje për  t’iu kthyer rrënjëve, me elementë të folkut shqiptar dhe frymëzuar, siç ka bërë të  ditur kompozitorja nga fenomeni i emigracionit.  Maliqi është shprehur se e pranoi ftesën e kompozitores për të kënduar “Ktheju Tokës”, menjëherë pasi dëgjoi versionin demo.

https://www.youtube.com/watch?v=OQFbA7yfzjo

Maliqi ka marrë pjesë në festivale muzikroe si Top Fest dhe Festivali i Këngës, si edhe ka publikuar një sërë videosh muzikore. Në faqen zyrtare të Eurovision 2019, ajo përshkruhet edhe si një “influencer” dhe ikonë mode me 435 mijë ndjekës në Instagram.  Megjithëse u kritikua pak ditë më parë për aftësitë e saj në gjuhën angleze, pas një videoja të publikuar ku këngëtarja dukej në vështirësi të gjente fjalët e duhura për t’iu përgjigjur gazetares që po e intervistonte,  arriti ta kualifikojë Shqipërinë në finale, ndërsa fitorja siç e ka treguar vit pas viti historia e këtij kompeticioni, është më shumë në duart e gjeopolitikës dhe fqinjësisë së mirë sesa aftësive vokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë