Financa Personale

Eurostat: 70% e shqiptarëve s’përballojnë dot asnjë vakt me mish apo peshk

Nga Gazeta ‘SI’ - Rreth 70% e shqiptarëve që kategorizohen si të varfër nuk kishin mundësi të përballonin një vakt që përmbante mish, peshk ose ekuivalent vegjetarian një herë në dy ditë, duke e renditur kështu si vendin më të varfër në Europë.

Po ashtu, as 30% e shqiptarëve që nuk janë të varfër, nuk kanë mundur të përballonin një herë në dy ditë një vakt me mish, peshk ose ekuivalent vegjetarian. Në këtë tregues, Shqipëria renditet e treta më e lartë në Europë pas Turqisë 37.3% dhe Maqedonisë së Veriut 36.5%.

Raporti i Eurostat është për viti 2022, por të dhënat e Shqipërisë janë të vitit 2021. Gjithsesi edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë shifra të ngjashme me Shqipërinë në këtë tregues, por jo aq të larta. Pas nesh vjen Turqia, me 62.9%, Maqedonia e veriut 54.8%, Bullgaria 44.9, Serbia 37%. Për Kosovën nuk ka të dhëna.

Një raport i mëhershëm i Eurostat, e rendiste Shqipërinë si vendin me të ardhurat më të ulëta për frymë në raport me PBB-në për vitin 2022, me 34%. Mesatarja e Europës në këtë tregues është 100%.

Ndonëse renditet e fundit, për të ardhurat në raport me atë çfarë prodhon ekonomia në një vit dhe për çfarë mund të paguajë, shqiptarët shpenzojnë pjesën më të madhe të tyre për ushqime, njësoj si europianët.

Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për frymë për ushqime në 2022 ishin 2 mijë euro, nga 1.700 euro në 2021, duke mos pasur ndonjë diferencë të lartë me mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 2.300 eurosh.

Për bukën dhe drithërat, familjet shqiptare kanë shpenzimeve rekord në 4.3% të PBB-së, nga 1.2% që është mesatarja europiane. Edhe për mishin shkojnë 6% e të ardhurave që ekonomia qarkullon në një vit, ndërsa për familjet europiane mjafton vetëm 1.5%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë