Analize

Europianët votojnë për fatin e Ballkanit

Që nga zgjedhjet e para për Parlamentin Europian në vitin 1979, vendet e Ballkanit shikonin nga larg pa e ditur nëse një ditë do të mund të bëheshim pjesë e BE-së ose jo.
40 vite më vonë Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet jashtë unionit, ndërkohë që kontinenti i vjetër përgatitet më i përçarë së kurrë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Këtë herë, megjithatë, rreziqet dhe pasojat e drejtpërdrejta mbi qytetarët e Ballkanit duket të jenë më të larta se më parë. Për herë të parë në një periudhë të gjatë, europianët që shkojnë në qendrat e votimit mes 23 dhe 26 majit do të kenë një mundësi për të zgjedhur midis dy vizioneve të kundërta për të ardhmen e Europës, njëri prej të cilëve mbështet antarësimin e Ballkanit dhe tjetri që është kundër zgjerimit të mëtejshëm të unionit. Për më tepër, zgjedhjet do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në drejtimin e përgjithshëm politik të Komisionit të ri Europian.

Sipas ekspertëve, nuk ka dyshim që këto zgjedhje do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek politikat e zgjerimit të unionit europian. Pyetjet e vetme janë: si dhe në çfarë shkalle?

Që nga viti 2014, në Parlamentin Europian prej 750 vendesh janë ulur tetë grupe të ndryshme deputetësh. Më i madhi është koalicioni i madh i Partisë Popullore Evropiane Qendrore (PPE), i përbërë nga parti të djathta, liberale dhe të majta. Pas tij vjen grupi i konservatorëve europianë (ECR), anëtarët e të cilave përfshijnë Partinë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar dhe partinë qeveritare polake. Ai është grupi më i madh opozitar, por zgjedhjet e ardhshme kanë të ngjarë të ndryshojnë ekuilibrat e parlamentit.

Parlamenti Europian

"Fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve do të jenë grupet ekstreme, anti-evropianët, populistët dhe nacionalistët. Pritet të shohim humbës të mëdhenj mes partive tradicionalisht pro-europiane, sidomos të majtës tradicionale", thotë Fabian Zuleeg, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Europiane të Politikave.

Florian Bieber, profesor në Universitetin e Gracit dhe koordinator i Grupit Këshillues të Politikave për Ballkanin (BiEPAG), ka të njëjtin mendim. "Mendoj se mund të presim një parlament më të larmishëm, pasi disa nga blloqet më të vogla do të fitojnë një pjesë të madhë të karrigeve të parlamentit. Kjo do të thotë se do të kemi një BE më të komplikuar ", theksoi ai.

Ndikimi më i menjëhershëm i zgjedhjeve të vitit 2019 për rajonin e Ballkanit Perëndimor është përbërja e Komisionit të ardhshëm Europian. Sytë e gjashtë vendeve të rajonit do të jenë nga delegatët e ardhshëm të zyrave të Përfaqësuesve të Lartë dhe Komisionerit për Zgjerimit. Ka edhe dyshime nëse kjo e fundit do të vazhdojë të punojë në formën aktuale pas zgjedhjeve.

Është e vështirë të imagjinohet një ndryshim i pozitave të PPE-së në drejtim të zgjerimit, të cilat kanë vënë një theks të veçantë në kryerjen e të gjitha reformave të nevojshme dhe mbylljen e çdo kapitulli negociues, duke nënkuptuar se pranimi i vendeve të Ballkanit do të ndodhë së shpejti. Nga ana tjetër, një koalicion me liberalët, sidomos Macronin dhe Kryeministrin holandez, të dy kundërshtarë të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, mund të sjellë ndryshime të papëlqyeshme për rajonin. Partitë e ulura në Parlament janë gjithashtu një çështje e rëndësishme, për shkak të ndikimit që ky institucion ka në orientimin e përgjithshëm politik të Bashkimit Europian.

• Përse Franca dhe Hollanda kundërshtojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë?

Sebastian Kurz dhe Emanuel Macron

"Kur bie fjala tek zgjerimi, këto parti kanë qëndrime të ndryshme. Për shembull disa parti euroskeptike nuk janë domosdoshmërish kundër zgjerimit. Nëse marrim FPÖ-në në Austri, e cila ka të ngjarë të jetë më e fortë [pas zgjedhjeve], ajo favorizon zgjerimin, veçanërisht anëtarësimin e Serbisë, për shkak të strategjisë së saj nacionaliste. Pra, disa prej këtyre rezultateve janë më pak të parashikueshme, por unë do të prisja që Parlamenti të jetë pak më pak entuziast për zgjerimin e BE-së në përgjithësi dhe kjo do të kishte pasoja negative në mbështetjen parlamentare për procesin e anëtarësimit të Ballkanit", shpjegon Bieber .

Sipas sondazheve, dy partitë më të mëdha europiane do të humbasin nëntë deri në dhjetë për qind të deputetëve (me rënie më të madhe për socialistët dhe demokratët, kryesisht për shkak të largimit të Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar). Liberalët, të nxitur nga partia e presidentit francez, Emmanuel Macron, parashikohen të dalin më mirë, duke shkuar nga 68, në 115 eurpdeputeë.

Një tjetër shqetësim i madh për ekspertët është mungesa ne interesit në mesin e votuesve europianë.

“Mungesa e reformave dhe rritja e zhgënjimit nga politikat e BE-së duket se ende vazhdon dhe për këtë arsye nuk do të shohim një pjesëmarrje më të madhe të votuesve në vitin 2019, pavarësisht rreziqeve të larta”, beson Bieber. "Në disa vende anëtarë ka shumë beteja, gjë që mund të rrisë pjesëmarrjen, por ka rrezik që këto vota të shkojnë për populistët në Itali apo Francë. Ne i kemi parë shpesh betejat kombëtare të pasqyrohen në zgjedhjet europiane. Pjesëmarrja mund të jetë më e lartë në disa vende, por nuk do ta interpretoja atë si një mbështetje të lartë për BE-në, por si disa qytetarë që dëshirojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre me qeveritë në detyrë", përfundon ai.

Pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet e PE-së, 62 %, u regjistrua në vitin e parë që u zhvilluan - 1979. Përqindja u zvogëlua gradualisht gjatë tre dekadave të ardhshme, duke arritur nivelin me të ulët prej 42 % në vitin 2014.

Edi Rama dhe kryeministri holandez Mark Rutte

Kush është kundër antarësimit të Shqipërisë?

Lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar duket se kanë bërë që dy nga shtetet më të fuqishme të Europës të paralajmërojnë se mund t’i mbyllin derën Shqipërisë. Presidenti Emannuel Macron dhe parlamenti holandez kanë kundërshtuar anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimit Europian, duke theksuar se Shqipëria nuk është ende gati.

Në korrik, 125 deputetë të parlamentit holandez kanë votuar kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pasi shumica e partive të kishin shprehur kritika mbi zbatimin e reformave në Shqipëri, kryesisht vettingun dhe reformën në drejtësi.

Holanda solli një mision faktmbledhës në vendin tonë me shtatë deputetë nga partitë kryesore parlamentare në Holandë. Ata shprehën skepticizëm dhe kanë thënë se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Ata zhvilluan takime me Kryeministrin Rama, kreun e opozitës Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Por Holanda nuk është e vetmja që mund t’i vërë veton hapjes së negociateve të anëtarësimit me Shqipërinë. Franca dhe Danimarka kanë sinjalizuar gjithashtu se nuk e mbështetin anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian. Sipas atyre që thuhen në qarqet e KE-së dhe qeverisë gjermane, nuk është ende e qartë nëse Komisioni Evropian do të japë dritën e gjelbër në nisje së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Madje Presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron që çështja e zgjerimit të mos diskutohet fare para zgjedhjeve të BE-së.

Ai ka frikë se kjo çështje do të tërheqë skeptikët e BE-së, dhe dëshiron të sigurojë shumicën e gjerë në Parlamentin Europian për reformat e tij. Gjatë samitit të Sofjes Macron u tregua mjaft skeptik mbi anëtarësimin e Shkupit dhe Tiranës. Ndëkohë, një artikull i publikuar nga gazeta austriake “Der Standart” në shtator theksonte se Parisi po i bën rezistencë negociatave me Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë