Analize

Përse Franca dhe Hollanda kundërshtojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë?

Lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar duket se kanë bërë që dy nga shtetet më të fuqishme të Europës t’i mbyllin njëkohësisht derën Shqipërisë. Presidenti Emannuel Macron dhe parlamenti holandez kanë kundërshtuar anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimit Europian, duke theksuar se nuk do të japin dritën jeshile për Tiranën zyrtare, në samitin e 28-29 qershorit dhe se Shqipëria nuk është ende gati për t’u bashkuar me unionin europian.

Në një seancë të pazakontë, parlamenti holandez diskutoi hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke sinjalizur se do të vendosë veton në Parlamentin Evropian në Bruksel. 125 deputetë të parlamentit holandez kanë votuar kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pasi shumica e partive të kishin shprehur kritika mbi zbatimin e reformave në Shqipëri, kryesisht vettingun dhe reformën në drejtësi. Vendimi i parlamentit erdhi pasi deputetët holandezë vizituan Tiranën një muaj më parë në një mision “në terren” duke sinjalizuar se Holanda nukishte gati të jepte dritën jeshile për Shqipërinë. Pak para se të mbahej seanca, gazeta holandeze “De Telegraaf" paralajmëroi gjithashtu se Amstedami do të vendoste veton në takimin e liderëve të vendeve të BE-së në Bruksel në fund të qershorit.

Edi Rama dhe Mark Rutte

Holanda vë veton ndaj negociatave?

“Shqipëria e Ballkanit, e gjuznjëzuar nga varfëria mori statusin si vend kandidat për anëtarësimin në BE disa vjet më parë me miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Komisioni Europian dëshiron tanimë të nisë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke dhënë majde edhe një datë për anëtarësimimin e mundshëm të ketyrë dy vendeve: 2025-ën”, këto ishin rreshat e para të “De Telegraaf”, në një artikull kushtuar votimit të parlamentit holandez, ku ngrinte alarmin për luftën kundër korrupsionit në vendin tonë.

“Qeveria holandeze nuk e sheh situatën njësoj me Bashkimin Europian. Ne kemi shqetësime serioze në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” u shpreh gjatë seancës ministri holandez i Punëve të Jashtme- Më parë duhet bërë edhe më shumë përparim në këto pika.”

Sipas gazetës holandeze, grupet parlamentare të VVD, CDA, CU, PVV, SP dhe 50Plus po e ndalojnë qeverinë holandeze të pranojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Vetëm D66 dhe GroenLinks duan që BE-ja të fillojë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Deputeti i CDA-së, Van Helvert, është shprehur nga ana tjetër se ndikimi i Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, nuk është një arsye për anëtarësimin e Shqipërisë. “Ne nuk do të bëjmë pazare më kriteret e anëtarësimit. Në Shqipëri nuk ka ndonjë progress të dukshëm, për shembull në reformën e gjyqësorit. Po, gjyqtarët janë paralajmëruar për vetingun, por nga tetëqind gjyqtarë, vetëm dhjetë prej tyre janë testuar. Në këto kushte nuk mund të thuash se Shqipëria është gati për negociatat e anëtarësimit", shprehet ai.

Nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë në BE janë ende të shqetësuar për trafikun e drogës, dhe jo për prodhimin e kanabisit në Shqipëri, siç ishte vitin e kaluar, por për kontrabandën e kokainës në Evropë, sidomos drejt Holandës.

Edi Rama dhe Mark Rutte

Franca kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë

Por sipas mediave gjermane, Holanda nuk është e vetmja që mund t’i vërë veton hapjes së negociateve të anëtarësimit me Shqipërinë. Franca dhe Danimarka kanë sinjalizuar gjithashtu se nuk e mbështetin anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian. Sipas atyre që thuhen në qarqet e KE-së dhe qeverisë gjermane, nuk është ende e qartë nëse Komisioni Evropian do të japë dritën e gjelbër në samitin e liderëve europianë në fund të qershorit. Madje Presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron që çështja e zgjerimit të mos diskutohet fare para zgjedhjeve të BE-së në 2019.

Ai ka frikë se kjo çështje do të tërheqë skeptikët e BE-së, dhe dëshiron të sigurojë shumicën e gjerë në Parlamentin Evropian për reformat e tij. Por përtej kësaj, Presidenti francez është në mënyrë kategorike, kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Kjo doli në pah jo vetëm gjatë samitit të Sofjes, ku Macron u tregua mjaft skeptik mbi anëtarisimin e Shkupit dhe Tiranës në veçanti, por edhe në një artikull të publikuar nga gazeta austriake “Der Standart”, e cila thekson se Parisi po i bën rezistencë negociatave me Shqipërinë.

Sipas Der Standard, Franca është paralajmëruar nga shtetet e tjera të BE-së se do të duhet të mbajë pasojat politike nëse bën rezistencë për Shqipërinë, pasi kjo do të minonte edhe besueshmërinë e BE-së. “Reuters” shkruan nga ana tjetër se shumë zëra kritikë në Berlin rreth qëndrimit të Macron, thonë se ai nuk është i vetëdijshëm për rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin e Evropës.

“Macron ka ndjesinë se do t’u japë hapësirë forcave euroskeptike brenda vendeve anëtare, sepse sapo përmendet Shqipëria, të gjithë mendojnë  menjëherë për krimin e organizuar- shkruan Reuters-Qeveria holandeze është gjithashtu kundër për shkak të frikës së zgjimit forcave të brendshme euroskeptike.”

Presidenti francez dëshiron të forcojë Europën përpara zgjerimit të saj, duke argumentuar vazhdimisht në qarqet e BE-së se ky është një “moment i gabuar”. Por edhe në Gjermani ka dyshime rreth hapjes së negociatave me Tiranën zyrtare. “Reuters” shkruan se Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i jashtëm Heiko Mass janë në favor të hapjes së negociatave, edhe pse në qarqet qeveritare përflitet se negociatat do të zgjasin me vite, të tëra.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar

Pavarësisht argumenteve të disa prej vendeve anëtarë, Komisioni Europian dëshiron hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke argumentuar se të dyja vendet i kanë përmbushur formalisht kriteret dhe BE-së. Theksojmë se Shqipërisë iu kërkua të bënte përpjekje të mëtejshme për luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë edhe krijimin e një institucioni të fortë për hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet e zyrtarëve të përfshirë në afera korroptive. Sipas një progress-raporti të pulikuar nga Komisoni Europian në 17 majj të këtij viti, Tirana ka bërë një punë thelbësore në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional (duke përfshirë edhe krijimin e SPAK) për të forcuar, parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Por raporti thekson se përsa përket përpjekjeve për vazhdimin e një lufte solide kundër korrupsionit, procesi ka ngecur në pika të ndryshme të zinxhirit të hetimit. Sipas KE-së, policia ka hetuar një sërë rastesh korrupsionit, shumica e të cilëve kanë përfunduar në gjykatë, ku kanë mbetur në “harresë” për vite të tëra. Dënimet kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, në lidhje me mbylljen e rasteve të reja kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, gjithashtu janë rritur. Megjithatë, numri i dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë mbetet shumë i ulët.

Raporti i Komisionit Europian thekson gjithashtu se Shqipërisë iu kërkua të bënte përpjekje të mëtejshme për luftën kundër krimit të organizuar, sidomos kundër trafikimit të lëndëve narkotike. Sipas tij, në vitin 2017, u vu re një reduktim i konsiderueshëm i kultivimit të kanabisit dhe sekuestrimit të lëndës narkotike. Operacionet e zbatimit të ligjit çuan në konfiskimin e sasive të mëdha të kanabisit të grumbulluar nga të korrat e mëparshme dhe sekuestrimit të një sasie rekord kokaine nga Amerika Latine. Sa i përket rekordeve në luftën kundër organizatave kriminale dhe grupeve të strukturuara kriminale, numri i denoncimeve është rritur veçanërisht në muajt e fundit, por raporti thekson se numri i dënimeve përfundimtare mbetet jashtëzakonisht shumë i ulët.

Burimet: "De Telegraaf", "Reuters", "Der Standart", "New Europe"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë