Ne rrjet

Europianët shpërthejnë në protesta kundër izolimit dhe pasaportave të vaksinimit

Izolimi i zgjatur, mbyllja e bareve apo qendrave tregtare dhe rikthimi në normalittet vetëm për të vaksinuarit po çon drejt një sërë protestash në Europë, një pjesë e mirë e së cilës ka hyrë sërish në karantinë për shkak të valës së tretë të Covid-19. Mijëra qytetarë janë mbledhur në kryeqyetet europiane duke protestuar kundër masave izoluese, duke filluar nga vendet nordike deri në Europën Perëndimore. Përveç izolimit, ata ngritën po ashtu shqetësimin e pasaportave të vaksinimit, duke thënë se qytetarëve nuk po u lihet zgjidhje tjetër veçse të imunizoheshin, duke u përjashtuar nga aktivitetet publike apo lëvizja e lirë brenda Europës.

Finlandë

Njëzet persona u arrestuan në Finlandë të shtunën teksa protestuan kundër masave për të luftuar COVID-19. Kjo u shoqërua me demonstrata të ngjashme që u zhvilluan në Norvegji dhe Danimarkën fqinje.

Rreth 300 persona morën pjesë në protestën e paautorizuar në Helsinki, ndërkohë që tubimet publike të më shumë se gjashtë personave janë aktualisht të ndaluara në Finlandë për të parandaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës. Arrestimet u kryen pasi një urdhër policie për shpërndarje u injorua nga protestuesit.

Danimarkë

Qindra njerëz u mblodhën gjithashtu në kryeqytetin danez Kopenhagen të shtunën për të protestuar kundër strategjisë së vendit të tyre për virusin dhe prezantimin të një pasaporte COVID.

“Coronapas”, e cila u lëshua të martën, u jepet njerëzve që janë vaksinuar plotësisht, kanë dalë pozitiv për virusin dy deri në 12 javë më parë ose negativ gjatë 72 orëve të mëparshme. Kjo i lejon ata të hyjnë në biznese të caktuara duke përfshirë parukeri, sallone bukurie dhe autoshkolla.

Zvicër

Zemërimi ndaj masave kufizuese ka shpërthyer edhe në Zvicër.  Policia prishi një tubim të vogël të paautorizuar,  i parashikuar në monumentin Tell në Altdorf. Policia e kantonit e bëri të qartë paraprakisht se asnjë tubim nuk do të tolerohej dhe kontrolloi rrugët e hyrjes në Altdorf si dhe njerëzit që mbërrinin me transport publik. Demonstruesit, të cilët  u mblodhën para mesditës mbanin pankarta të vogla. Oficerët e policisë u kërkuan disa herë qytetarëve  të largoheshin nga sheshi. Mbi 100 persona u kthyen nga policia për të mos marrë pjesë në marshim.

Austri

Pavarësisht izolimit, me qindra qytetarë u mblodhën në Vjenë për të protestuar kundër masave kufizuese.

Sipas policisë rreth 300-500 njerëz ishin pjesëmarrës në protestë. Ata brohorisnin duke kërkuar që kancelari Kurz të largohet. Policia ngriti barriera për të parandaluar protestuesit nga marshimi drejt qendrës së qytetit. Disa demonstrues  u përpoqën të thyejnë barrierën mbrojtëse ndërsa disa prej tyre u arrestuan.

Francë

Aktivistët nga lëvizja globale e drejtësisë Attac organizuan  një shfaqje në stacionin e metrosë Bercy në Paris për të nxjerrë në pah pabarazinë në rritje të shkaktuar nga pandemia. Shoqata po bën thirrje për vendosjen  e taksave për njerëzit më të pasur dhe fitimet e papritura të kombeve të mëdha.

Rumani

Edhe në rrugët e Bukureshtit me qindra qytetarë protestuan kundër masave kufizuese të vendosur nga autoritetet për të mbajtur nën kontroll pandeminë. Grupe të ndryshme pushtuan Sheshin e Fitores dhe zonën pranë Universitetit duke shprehur zemërimin e tyre ndaj izolimit, shtetrrethimit dhe mbylljes së bizneseve masa që hynë në fuqi në fund të marsit.

Shumë prej demonstruesve mbanin në duar flamurin rumun dhe brohorisnin, liri, poshtë qeveria.

Ndërsa, spitali Ortopedik në Bukuresht brenda natës u kthye në një njësi mbështetëse e koronavirusit, pacientët dhe të afërmit protestuan ndaj procesit të transferimit të shpejtë dhe procesit.

Ata shfaqën  pakënaqësinë e tyre rreth evakuimit të nxituar në orët e vona të mbrëmjes pasi qeveria caktoi spitalin një njësi për pacientet me COVID.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë