Futboll

Europa shpall sot kampionët e rinj në Stamboll, Interi sfidon superfuqinë Siti

Gazeta Si – Erdhi momenti që Europa të shpallë kampionët e rinj në futboll, ata që do të zbresin nga froni Real Madridin. Mbrëmjen e sotme (ora 21:00) në Stamboll luhet finalja e Ligës së Kampionëve mes Mançester Sitit dhe Interit. Një mbrëmje e madhe në ‘Ataturk’, me anglezët favoritë për të ngritur për herë të parë në historinë e tyre trofeun më të rëndësishëm për klube.

Mançester Siti i Guardiolës është vërtet një superfuqi e futbollit të sotëm dhe me të drejtë në letër kuotohet si favorit përballë një Interi, që kurrësesi nuk mund të nënvlerësohet. Në futboll ndodh gjithçka, jo gjithmonë fiton më i miri, kështu që duhet pritur shfaqja e sotme në Turqi.

Formacionet e mundshme te finales se sotme Siti-Inter. Gazeta Si, 10 qershor 2023

Siti ka në përbërje lojtarët më të mirë në qarkullim, peshorja anon nga ‘qytetarët’, të udhëhequr nga Halandi i rekordeve dhe me specialistë në formacion, si De Bryjne, Bernardo Silva, Gyndogan e me radhë. Guardiola do të hedhë në fushë të njëjtin 11-sh, që eliminoi Realin e Madridit në gjysmëfinale.

Interi vjen po ashtu në një formë të mirë. Djemve të Inzagit u duhet të sforcohen në maksimum për të neutralizuar kundërshtarin. Italianët bazohen të mbrojtja solide dhe nisjet e shpejta në kundërsulm. Trajneri Inzagi i ka të gjithë të gatshëm, por titullar pritet të luajë Brozoviç para Mkhitarian. Në sulm veteran Xheko mbetet favorit ndaj Lukakut.

Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares shqiptare, ëndërron të festojë me trofeun me veshë të mëdhenj mbrëmjen e sotme. Ai do të jetë në stol, ndoshta mund të ketë fatin të zbresë ndonjë minutë në këtë finale historike.

Finalja e Ligës së Kampionëve gjykohet nga arbitri polak, Szimon Marcianiak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë