Analize

Europa shkon në zgjedhje!

Rreth 427 milionë qytetarë pritet të votojë këtë javë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Europian për pesë vitet e ardhshme. Në Holandë dhe Mbretërisnë e Bashkuar ka filluar të enjten, mes trazirave në Londër, të cilat mund të shkaktojnë edhe rrëzimin e kryeministres Theresa May. Votimet do të nisin më pas në Irlandë të premten dhe Letoni, Maltë dhe Sllovaki të shtunën (25 maj), por shumica e shteteve anëtare do të votojnë të dielën.

Ndërkohë që dita e zgjedhjeve po afrohet, forcat pro-BE kanë vepruar në mënyrë agresive për të përfituar nga video-skandali në Austri, i cili vuri në pozicion mjaft të vështirë nacionalistët. Partitë në të gjithë Europën po luftojnë deri në minutën e fundit për të siguruar mbështetjen shtesë që mund të nënkuptojë një post të lartë të BE-së për një nga udhëheqësit e tyre dhe me më shumë ndikim në formimin e politikave të kontinentit gjatë pesë viteve të ardhshme.

Çfarë parashikohet?

Këto janë zgjedhjet më të mëdha në botën perëndimore, por partitë e ekstremit të djathtë parashikohen të bëjnë përparime substanciale, ndoshta duke kapur një të tretën e Parlamentit Europian. Sipas mediave europiane, forcat pro-BE e kanë pothuajse të sigurtë formimin e një koalicion më të gjerë dhe mbajtur e posteve kryesore të BE-së.

Por partitë euroskeptike parashikohet të dalin në vend të parë ose të dytë në disa prej kombeve më të mëdha të bllokut , duke përfshirë fuqitë themeluese si Franca dhe Italia, ish-fortesat komuniste në Lindje si Polonia dhe në Mbretërinë e Bashkuar, e cila po pret daljen nga BE-ja.

Këto zgjedhje janë konsideruar gjerësisht si më të rëndësishmet që nga votimi i 40 viteve më parë. Kur votuesit të shkojnë drejt kutive të votimit, procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian por edhe angazhimi për ruajtjen e vlerave të përbashkëta demokratike do të jenë më shumë se kurrë në rrezik.

Parlamenti Europian

Në Bruksel janë hedhur tre skenarë: një rritje e madhe e partive anti-europaine, fitorja e papritur e partive pro-europiane dhe opsioni i tretë, përçarja e Parlamentit Europian mes këtyre dy vizioneve të kundërta.

Që nga viti 2014, në parlamentin prej 750 vendesh janë ulur tetë grupe të ndryshme deputetësh. Më i madhi është koalicioni i madh i Partisë Popullore Evropiane Qendrore (PPE), i përbërë nga parti të djathta, liberale dhe të majta. Pas tij vjen grupi i konservatorëve europianë (ECR), anëtarët e të cilave përfshijnë Partinë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar dhe partinë qeveritare polake. Ai është grupi më i madh opozitar, por zgjedhjet e ardhshme kanë të ngjarë të ndryshojnë ekuilibrat e parlamentit.
Ata që priten të përmirësojnë pozicionin ekzistues janë grupet ekstreme, anti-evropianët, populistët dhe nacionalistët. Po ashtu sipas ekspertëve, priteten humbës të mëdhenj mes partive tradicionalisht pro-europiane, sidomos të majtëve.

"Mendoj se mund të presim një parlament më të larmishëm, pasi disa nga blloqet më të vogla do të fitojnë një pjesë të madhë të karrigeve të parlamentit. Kjo do të thotë se do të kemi një BE më të komplikuar", thekson Florian Bieber, profesor në Universitetin e Gracit dhe koordinator i Grupit Këshillues të Politikave për Ballkanin.

Ndikimi më i menjëhershëm i zgjedhjeve të vitit 2019 për rajonin e Ballkanit Perëndimor është përbërja e Komisionit të ardhshëm Europian. Sytë e gjashtë vendeve të rajonit do të jenë nga delegatët e ardhshëm të zyrave të Përfaqësuesve të Lartë dhe Komisionerit për Zgjerimit. Ka edhe dyshime nëse kjo e fundit do të vazhdojë të punojë në formën aktuale pas zgjedhjeve.

Është e vështirë të imagjinohet një ndryshim i pozitave të PPE-së në drejtim të zgjerimit, të cilat kanë vënë një theks të veçantë në kryerjen e të gjitha reformave të nevojshme dhe mbylljen e çdo kapitulli negociues, duke nënkuptuar se pranimi i vendeve të Ballkanit do të ndodhë së shpejti. Nga ana tjetër, një koalicion me liberalët, sidomos Macronin dhe Kryeministrin holandez, të dy kundërshtarë të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, mund të sjellë ndryshime të papëlqyeshme për rajonin. Partitë e ulura në Parlament janë gjithashtu një çështje e rëndësishme, për shkak të ndikimit që ky institucion ka në orientimin e përgjithshëm politik të Bashkimit Europian.

Kur do t'i njohim rezultatet e para?

Shtetet anëtare kanë rënë dakord të mos publikojnë rezultatet zyrtare deri sa të mbyllen qendrat e votimit të fundit. Rezultatet e para zyrtare do të bëhen publike më 26 maj pas orës 23:00, kur të mbyllet qendra e fundit e votimit mbyllet në Itali.

Pas zgjedhjeve, partitë pritet të fillojnë negociatat për të formuar grupe politike në Parlamentien e ri Europian. Për të formuar një grup politik, partitë duhet të kenë të paktën 25 deputetë që kanë kandiduar në të paktën 7 shtete të ndryshme anëtare. Afati i fundit për të njoftuar një grup është 24 qershor.

Seanca inauguruese e Parlamentit të sapozgjedhur Europian do të mbahet më 2 korrik, në selinë zyrtare në Strasburg. Në këtë ceremoni, eurodeputetët do të kenë mundësinë e parë për të zgjedhur presidentin e Komisionit Evropian.

Po ashtu, 28 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen në Bruksel më 28 maj, 48 orë pas zgjedhjeve, për të vlerësuar rezultatet dhe për të filluar diskutimin e shpërndarjes së posteve kryesore të BE-së.

Pas zgjedhjeve do të zgjidhen presidentët e Komisionit Evropian, Parlamentit Europian, Këshillit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punën e Jashtme.

Komisioni i ri Europian duhet të marrë detyrën më 1 nëntor, pas një votimi plenar në Parlamentin Europian.

Nis votimi në Londër

Londra në kaos

Ndërkohë që u hapën qendrat e votimit, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ishte zhytur në kaos, pas dorëheqjes së një zyrtari të lartë të qeverisë dhe thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrin May.

Autoriteti i Majit si Kryeministre është kompromentuar në mënyrë të konsiderueshme dhe se ajo ka humbur besimin e të gjithë anëtarëve të parlamentit britanik. Udhëheqësi i Grupit Euroskeptit britanik, Jacob Rees-Mogg, reagoi pas dorëheqjes së zyrtarit të lartë, duke thënë se May nuk ka autoritetin për t'u marrë me asgjë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, mediat britanike shkruajnë se qindra qytetarë europianë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar nuk mundur të votojnë pasi janë larguar me forcë nga vendvotime.

Si duket shkak u bënë gabimet administrative, të cilat i penguan ku votuesit të hidhnin votat e tyre.

"Mua mu mohua e drejta për të votuar pavarësisht se ishte një shtetase e regjistruar e BE-së," thotë një votuese për mediat britanike "Në qendrën e votimit, burri im britanik u lejua të votonte, ndërsa mua më thanë të votoja në vendin tim!'"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë