Futboll

Europa League/ Fitorja e parë për Strakoshën, Xhaka merr pikë në Turqi

Tomas Strakosha dhe Taulant Xhaka janë dy lojtarët e vetëm kuqezi që me klubet e tyre marrin pjesë në Europa League, një kompeticion që mbrëmë zhvilloi raundin e dytë të ndeshjeve në grup. Lacio e Strakoshës ka marrë fitoren e parë, pasi mundi me përmbysje francezët e Renes, 2-1. Milinkoviç-Saviç dhe Imobile shënuan golat e fitores së Lacios. Portieri i kombëtares sonë është vlerësuar me notën 6 për paraqitjen e tij, pasi ka bërë disa pritje të rëndësishme dhe për golin e pësuar nuk kishte faj. Titullar në këtë ndeshje ishte edhe Valon Berisha, i cili u zëvendësua në pjesën e dytë. Ndeshjen e parë Lacio e ka humbur në Rumani, ndaj Kluzhit dhe pas dy ndeshjesh mban vendin e tretë në Grupin E.


Strakosha feston me trajnerin Inzagi dhe shokët e ekipit fitoren ndaj Renes. Gazeta Si, 4 tetor 2019

Taulant Xhaka luajti 90 minuta në barazimin 2-2 të Bazelit në fushën e Trabzonsporit në Turqi. Mesfushori kuqezi ka bërë një paraqitje të mirë ndaj ekipit ku aktivizohet kosovari Dionis Avdijaj. Ishte një barazim me vlera për Bazelin, që aktualisht mban vendin e dytë në Grupin C, me 4 pikë.

Në rezultatet e djeshme bie në sy barazimi i Mançester Junajtid në fushën e AZ Alkmarit. Përveçse në kampionat, edhe në Europa League “Djajtë e kuq” po hasin vështirësi në këtë periudhë. Beshiktashi, një nga ekipet më të forta në Turqi, është mundur në fushën e vet nga anglezët e Volves. Arsenali mundi thellë, 4-0, Standardin e Liezhit dhe pas dy ndeshjesh ka pikë të plota. Me dy fitore në dy ndeshje janë edhe spanjollët e Getafes e Seviljes, holandezët e PSV-së dhe bullgarët e Ludogorets.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë