Muzike

Europa ka talent…shqiptar!

Ana Kodra dhe Erza Muqolli


Më 2015-ën, vogëlushja shqiptare, Erza Muqolli mahniti Francën me vokalin e saj.
Ishte vetëm 8 vjeç kur këndonte “La vie en rose” të Edith Piaf apo “La bohemme” të Charles Aznavour, duke u renditur në vend të tretë, në finalen e madhe të spektaklit të talenteve “France Got Falent”. Vetëm pak ditë më parë, Erza, do të ishte një prej artisteve, në krah të emrave të mëdhenj të artit shqiptar nëpër botë si Inva Mula, Genc Tukiçi, Ramë Lahaj apo ylli botëror i popit, Dua Lipa, në koncertin e mbajtur në teatrin “Argentino”, në nder të 550 vjetorit të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Erza së bashku me astistët e famshëm shqiptarë, në Vatikan, nëntor 2018. 

Edhe pse e lindur në Francë, Erza, i ka të forta lidhjet me rrënjët shqiptare, ku krahas hiteve botërore, vogëlushja tashmë 11-vjeçare, do të sillte versionin e saj të këngëve “Xhamadani vija-vija” apo “Duaje atdheun tënd”, ku me një shqipe të pastër, me dialekt gegë, Erza këndonte  vargje si “edhe pse jetoj në mërgim, zemra qan për vendin tim/ edhe pse unë jam nëntë vjeçar, për vendlindjen e babit, malli më ka marrë”, ndërsa e përmend Drenicën, krahinën, ku ka lindur i ati, Mehmeti. Prindërit e Erzës, më origjinë nga Kosova, përpara se të largoheshin drejt Francës bënin pjesë në jetën kulturore dhe artistike.

https://www.youtube.com/watch?v=Sxh9f8qpO2c

Vogëlushja sykaltër në Francë është krahasuar me Indilan, këngëtaren e franceze, që vitet e fundit ka korrur sukses ndërkombëtar.

Pas “France got talent”, Erza u bë pjesë e grupit “Kids United”, me të cilët bëri turne nëpër botë dhe madje realizoi edhe dy videoklipe, “On Ecrit Sur Les Murs” dhe një vit më vonë, më 2016-ën, në “Tout Le Bonheur Du Monde”. Jo  vetëm me vokalin, por Erza mahnit  edhe me performancat e saj në piano.

https://www.youtube.com/watch?v=c61thV02ji0

Erza është shfaqur gjithashtu në koncertin e Celine Dion dhe ka kënduar me artisten e njohur Zaz. Nga suksesi në Francë, Erza do të udhëtonte në Tiranë, për të marrë pjesë në spektaklin “Virtuozët”, prezantuar nga sopranoja e njohur Inva Mula, në televizionin”Klan”, duke kënduar në duo me sopranon Mula “La Bohemme”.

Erza me këngëtaren kanadeze, Celine Dion 

Një tjetër shqiptare, që e nisi nga Tirana garën për të shfaqur talentin e saj është 11-vjeçarja Ana Kodra, e cila pasi përfaqësoi Shqipërinë në “Junior Eurovision”, do të udhëtojë drejt Anglisë, për të marrë pjesë në konkursin e talenteve “Britain’s got talent”, më 2019-ën.
Lajmërimin e ka bërë vetë Ana, në faqen e saj të Facebook-ut, ku thotë se data 8 dhjetor do ta gjejë në Mançester, për të marrë pjesë në audicionet e sezonit të ri të spektaklit që ka zbuluar talente si Susan Boyle. Ana Kodra i ka provuar më herët ethet e konkurrimit, ndërsa garonte me moshatarët e saj në “Voice Kids Albania” Ana nuk do të jetë e para artiste, që depërton nga Eurovisioni drejt spektakleve të talenteve në Britani. Sara Aalto, shkruajnë mediet britanike, e hapi këtë rrugë më 2016-ën, duke u renditur e dyta në “X Factor”.

Ana Kodra 

Më pas do të vinte fituesja e Junior Eurovision, Destiny Chukunyere , e cila mundi të arrinte deri në gjysmë finalet e “Britain’s Got Talent”, në maj të 2017-ës. Pas saj ishte një yll tjetër i Eurovisionit, Zena Donnelly nga Irlanda, në “The Voice Kids UK”, vetrën e 2017-ës. Në spektaklin e këtij viti, ishte një tjetër finaliste e Eurovisionit, Amy Marie Borg, nga Malta, që po ashtu u rendit në gjysmëfinalen e “Britain’s Got Talent”.

https://www.youtube.com/watch?v=31SY87Sggfs
Ana Kodra në "Voice Kids" 

Ana Kodra e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision më 2017-ën, festival që u organizua në Tbilisi të Gjeorgjisë, me këngën Don’t Touch My Tree”. Nëse Ana do të ketë të njëjtin fat si bashkëmoshatarja e saj, Erza – duke marrw parasysh edhe shkëlqimin e shqiptareve të tjera në arenën botërore të muzikës si Lipa, Ora, Rexha apo Istrefi – mund të thuhet se Europa po përkufizohet me talente shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë