Futboll

Europa jep sot trofeun e parë/ Mourinjo kundër Seviljes, mbrëmja e specialistëve

Gazeta Si – Në Budapest luhet sot në mbrëmje (21:00) finalja e Ligës së Europës mes Romës dhe Seviljes. Roma kërkon trofeun e dytë në dy vjet, trajneri portugez dhe skuadra spanjolle nuk humbasin kurrë.

Mbrëmja e specialistëve, që do të thotë se sido që të shkojë në Budapest, do të prishet një rekord. Sevilja dhe Mourinjo janë të pathyeshëm në finale, nuk kanë humbur kurrë në 6 të luajtura deri tani. Sevilja i ka bërë koleksion tashmë trofetë e Ligës së Europës, në anën tjetër Mourinjo, që kur shkon deri në fund dhe e ka bërë shpesh, gjithmonë ngre kupën…

Mourinjo feston me të tijtë pas një fitoreje. Gazeta Si, 31 maj 2023

Mourinjo nuk ka dashur të thotë asgjë për të ardhmen, por ka mundësi që sot ai të luajë ndeshjen e parafundit me Romën. Si ai me Romën nuk ka bërë askush. Fitorja në Ligën e Konferencës një vit më parë, tani finalja e Ligës së Europës. Nëse fiton, hyn në histori e klubit italian përgjithmonë.

Është e qartë se shumë gjëra kalojnë nga këmbët e Dibalës në finalen e sotme. Argjentinasi është stërvitur me ekipin, por për trajnerin Mourinjo ai do ta nisë nga stoli. Në mbrojtje do të jetë treshja Mançini-Smolling-Ibanjez, Matiç dhe Kristante në qendër të mesfushës, Çelik dhe Spinacola në krahë, ndërsa në sulm Pelegrini dhe El Sharaui do të mbështesin Abraham.

Në anën tjetër janë En-Nesyri, Torres, Okampo, Suso dhe Lamela janë ata që mund t’i bëjnë keq Romës. Lojën me shumë mundësi do ta bëjë Sevilja, sepse është në natyrën e saj, Roma do të presë dhe do të kundërsulmojë. Si gjithmonë, në finale diferencën do ta bëjë edhe mendja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë