Lajme

Eurodeputetja ‘non grata’ në Shqipëri reagon: Titull nderi për mua!

Deklarata se Shqipëria “nuk hyn në BE me gjak”, i ka kushtuar shpalljen ‘non grata’ nga ana e autoriteveve zyrtare në Tiranë, por duket se ky vendim nuk e ka shqetësuar shumë eurodeputeten qipriote Eleni Theocharous.

Prania e eurodeputetes qipriote në Bularat në varrimin e 35-vjeçarit Konstandinos Kacifas ka rënë në sy, teksa është takuar me drejtues të lartë politikë lokalë dhe qendrorë.

Ashtu siç kishte parashikuar, eurodeputetja thotë se do ta shtrojë çështjen Kacifas në Parlamentin Europian dhe sipas medias greke, “Hellas Journal”, kjo do të ndodhë të hënën.

Gazeta greke e ka pyetur Theocarus për vendimin e shtetit shqiptar dhe ajo është përgjigjur duke thënë: “Është një titull nderi për mua të vihem sërish nën targetin e një regjimi të korruptuar e diktatorial si ai i Edi Ramës në Shqipëri”.

Ajo ka shtuar se do të vijojë që të mbështesë “Vorio-Epirin”. “Ata nuk mund të zbehin rezistencën time, apo pasionin tim për të drejtat e njeriut dhe ruajtjen e Vorio Epirit”, thotë eurodeputetja qipriote.

Ditën e sotme, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate zyrtare ka shpallur ‘non grata’ eurodeputeten qipriote, Eleni Theocarus.

“Në bashkëveprim nderinstitucional dhe pas vleresimit te kryer nga institucionet e specializuara, Ministria per Evropen dhe Punet e Jashtme i propozoi Ministrise se Bredshme shpalljen non grata (person u padeshirueshem ne Shqiperi) te eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous.

Ministria e Brendshme referuar statusit politiko-diplomatik dhe angazhimit te saj ne Parlamentin Evropian, pas vlerësimit dhe në mbështetje të propozimit të MEPJ, gjykuar në materialet referuese të administruara nga Ministria e Brendshme vendosi të miratojë kërkesën e MEPJ.

Ky vendim vjen si reagim i detyruar kushtetues e ligjor i institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ndaj shfaqjeve të përsëritura ekstremiste të eurodeputetes Eleni Theocharous. Prononcimet e saj që nxisin urrejtjen, cenimin e rendit kushtetues të vendit tonë, ngritjen e pretendimeve territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë, nuk mund dhe nuk do të mund të bëhen më në tokën shqiptare”, njoftoi Ministria.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë