Menaxhim

Euro i afrohet pragut të 98 lekëve

Nga Gazeta 'SI' - Në përfundim të sezonit veror, monedha europiane po fundoset edhe më shpejt. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të martën e 17 shtatorit një euro këmbehet me 99.28 lekë, duke prekur kështu një rekord të ri historik.

Paralelisht edhe dollari është dobësuar më tej dhe këmbehet me 89.12 lekë. Paundi britanik ka përjetuar një rritje të lehtë dhe këmbehet me 117.82 lekë.

Në kulmin e sezonit veror, kur pritej goditje e fortë e euros, pati një stabilizim të kursit të këmbimit, por shtatori riktheu rënien.

Sipas BSH flukset e mëdha të euros nga turistët, investimet e huaja dhe eksportet po ushtrojnë presion mbi monedhën europiane. Vetë guvernatorit Genti Sejko i bëri thirrje qeverisë për bashkëpunim, pasi Banka e vetme nuk mban dot kursin.

Sejko ripërsëriti rolin e parasë informale në zhvendosjen e kursit të këmbimit dhe theksoi se në një vit monedha europiane është zhvlerësuar me 20% kundrejt lekut.

“Vjet kemi pasur 6 miliardë euro të hyra formale, por sidoqoftë ne nuk e kemi mohuar kurrë edhe prezencën e parasë informale përsa kohë kemi nivel të lartë informalitetin në ekonomi. Për këtë arsye ekziston edhe paraja informale që mund të vijë nga burimet kriminale, evazioni fiskal ose edhe të tjera,” deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë