Futboll

Euro 2020, shtyhen për herë të dytë ndeshjet e Play-Off

UEFA ka shtyrë ndeshjet e “Play-off”-it të Euro 2020 për herë të dytë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ndeshjet në fjalë, ku merr pjesë edhe Kosova, që ndeshet me Maqedoninë e Veriut, ishin parashikuar të luheshin fillimisht më 26-31 mars.

Ato u shtynë për më 4-9 qershor, por përparësi kanë kampionatet kombëtare dhe pas tyre kompeticionet për klubet, Champions League dhe Europa League. Kampionati Europian është shtyrë për verën e vitit 2021, kështu që UEFA e ka parë të arsyeshme që ndeshjet e “Play-off”-it të shtyhen sërish dhe të zhvillohen në datat 3-8 shtator, data që ishin planifikuar për ndeshjet e para të grupeve të Ligës së Kombeve.

Vendimi është marrë sot, pas një “conference call” me 55 federatat që janë pjesë e UEFA-s. Ndeshjet e “Play-off”-it do të përcaktojnë katër skuadrat që do të kompletojnë 24 kombëtaret pjesëmarrëse në Kampionatin Europian. Kosova ka një shans për të shkuar në këtë kompeticion, nëse fiton sfidën e parë me Maqedoninë e Veriut në Shkup dhe më pas nëse triumfon në finalen me fituesin e çiftit Bjellorusi-Gjeorgji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë