Futboll

Etrit Berisha ndërron kampionat pas shumë vitesh, transferohet në Turqi

Gazeta Si – Portieri i Kombëtares, Etrit Berisha, do të kalojë në kampionatin turk dhe konkretisht te skuadra e Fatih Karagumruk, e drejtuar nga Andrea Pirlo deri pak kohë më parë. ‘Gardiani’ kuqezi do të lërë Italinë pas shumë vitesh.

Largimi nga Torino, ku kaloi një periudhë shumë të vështirë për shkak të përplasjeve me trajnerin Ivan Juriç, ishte i sigurt për Berishën. Portieri shqiptar kishte kontakte nga klube të tjera italiane, kryesisht të Serisë B, por më pas në skenë doli Turqia, ku ana financiare është më e mirë.

Etrit Berisha gjate nje ndeshjeje. Gazeta Si, 23 qershor 2023

Karagumruk bën pjesë në nivelin elitar të futbollit turk dhe Berisha, falë eksperiencës së gjatë që ka, mund ta ndihmojë këtë skuadër sezonin e ardhshëm. Akordi mes palëve është arritur dhe tani pritet të mësohen detajet e kontratës.

Berisha ishte titullar me Kombëtaren shqiptare në dy ndeshjet e fundit me Moldavinë dhe Ishjut Faroe, ku pësoi një gol. Trajneri Silvinjo i besoi atij, edhe pse ishte në kushte të barabarta me Strakoshën. Asnjëri prej tyre nuk vinte pas një sezoni pozitiv me klubin ku bënte pjesë.

Berisha ka veshur ne Itali fanellat e Lacios, Atalantës, Spalit dhe Torinos. Tani, në fundin e karrierës, vjen aventura turke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë