Muzike

Është radha e Galës

Ndoshta nuk është çudi që artisti do ta pagëzonte të bijën me një emër që në gjuhën skandinave do të thotë “Këngëtare”.

Emri i Galës ishte i pandarë nga goja e Robert Aliajt, në netët e spektakleve të prodhuara nga Vera Grabocka, ku këngëtari dhe artisti vizual shfaqej pas vitesh mungesë në Shqipëri, si i ftuar i veçantë në rolin e opinionistit.

Ekscentrik, me një look të veçantë e shpesh kontrovers, Aliaj shfaqte anën e tij më të butë sa herë i përmendej e bija, e lindur dhe rritur në Bruksel, ku artisti ishte shpërngulur me familjen  prej një kohe të gjatë.

Gala Aliaj shpallet fituese e "Voice Kids Belgium"

Në një prej spektakleve, Gala u ngjit në skenë me të atin, ku sëbashku interpretuan këngën ikonë të Aliajt “Dashuria”Vetë më mësove se dashuria ka diell dhe në shi...vetë më mësove se dashuria tër’ qiellin ka çati, këndonte e vogla me një theks frëng.

Në shkurt të këtij viti, Gala Aliaj vendosi të provonte talentin  në “Voice Kids Belgium” dhe la shenjë që në herën e parë, ku bëri të ktheheshin njëheri të katër poltronat e jurisë, ndërsa ajo u prezantua më këngën e Nora Johes “Don’t Know Why”. Jo vetëm një zë i plotë, soul dhe i thellë, që në tingëllim linte shijen se dilte prej një këngëtareje të pjekur, por edhe stili i saj krejt i veçantë dhe ekscentrik që ndërmende të atin, Robertin.

https://www.youtube.com/watch?v=pfcBdupAX-o

Aliaj nuk e përmbante emocionin pas skene dhe ngarendi ta përqafonte të bijën. “Nuk mund t’jua përshkruaj atë që ndiej tani”, i tha ai jurisë, të cilët e përgëzuan për stilin  unik, me një kilt të zi mbi pantallona  dhe bastunin e tij, tashmë markë dalluese bashkë me thonjtë e lyer në smalt të zi.

Gala jo vetëm që vizaton, siç zbulonin në videot gjatë karantinës, por edhe dizajnonte veshjet e saj, duke ricikluar veshje të vjetra në modele më moderne.Ndonëse u kurorëzua me sukses, ëndërr dhe krenari e çdo prindi, Aliaj shprehej më herët se Gala e kishte marrë si një aktivitet më shumë  në jetën e saj, pa u përfshirë nga ethet e konkurrimit.

Robert dhe Gala Aliaj

“Që në ditën e lindjes unë kam qenë një fanatik dhe konservator i frikshëm, edhe natën unë do i jepja biberonin, do i tundja, nuk e di çfarë dimensioni ishte, por unë punoja gjithë ditën dhe rrija zgjuar gjithë natën, ata janë një lumturi e vërtetë. Thonë që vajza i ngjan mamasë së saj por për mua është një mrekulli që më ka bërë të jetoj dhe i lutem Zotit që jetoj sa më shumë që t’i hap asaj rrugën me sa të mundem. Unë jam bërë me vajzën time si ata pleqtë që s’kanë asgjë për të bërë dhe presin mbesat. Unë e vë në gjumë, e zgjoj në mëngjes, e çoj në kurs piano dhe ndërkohë që ajo është në shkollë unë pikturoj. Po ashtu kur Kristi ishte i vogël bëja të njëjtën gjë, por tani ai është rritur dhe kemi edhe konflikte por i sheshojmë në një gotë verë”, rrëfente dikur Aliaj për fëmijët e tij.

Ai do të shfaqej me Galën, në dhjetor të 2018-s, në protestën e studentëve të cilën e përkrahu që në ditët e para. “Jam shumë e lumtur të jem këtu mes jush”,thoshte Gala atëkohë vetëm 13 vjeç.

I ndërprerë për shkak të pandemisë Covid-19, finalja e Voice Kids Belgium u mbajt më 11 shtator, ku shqiptarja Gala u shpall fituese me interpretimin e këngëve‘Goodbye Yellow Brick Road’ nga Elton John dhe  “Make you feel my love”, një ogur i mirë nga këngëtarja britanike Adele, e cila e nisi rrugëtimin drejt famës pikërisht në një talent show. “Jam shumë entuziast për bijën time. Është një bishë në skenë”, shprehej pak ditë para finale Aliaj.  Në rrjetin social Instagram, Gala shkruante e emocionuar,  “WTF, nuk është e vërtetë, nuk mund ta besoj. Faleminderit shumë djema!”.

https://www.youtube.com/watch?v=T-Wa7NreAEw

E rrjedhshme në gjuhën angleze, flamande, frënge, por edhe shqip, në natën finale mbante në gisht një unazë me shqiponjë.14 –vjeçarja ka realizuar disa video duke kënduar me të atin në shqip, si këngët “Për ty Atdhe” apo “Dua më shumë Shqipërinë”.

Edhe mediat belge e kanë vlerësuar vokalin dhe talentin e Gala Aliaj, ndërsa Robert Aliaj paralajmëroi daljen e një kënge të re të shkruar dhe konceptuar nga vetë Gala.

Me vokalin dhe stilin e veçantë, Gala mund të ndjekë rrugën e shqiptareve të famshme në tregun ndërkombëtar të muzikës, si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha e shumë të tjera...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë