Muzike

Është moda me ta bo’ Diss

Nëse je mbi tridhjetë vjeç dhe je, fjala bie, duke u ushtruar në palestër ajo kënga hiphop që i këndon kolumbianes, nuk e ka fjalën për ndonjë vajzë latine dhe nëse do një këshillë, as mos u mundo të të kapë veshi ndonjë fjalë më shumë për të hyrë në fillin e lirikës, sepse nuk do ta gjesh. Megjithëse ca fraza tipike tingëllojnë me ato të repereve si Cardi B apo Lil Kim  e simotrat e tyre në industrinë botërore të muzikës, këngëtarja quhet Tayna (me siguri emër arti), që nga qenkësh këngëtarja më “in” e rrymës dhe ka pushtuar tregun muzikor shqiptar, megjithëse ka vetëm dy vjet që ka debutuar, duke u shpallur sfidë të hapur kolegeve. Të paktën sipas portaleve të lajmeve nga Kosova. Tayna – emri i vërtetë i së cilës është Doruntina Shala -,  rimon vargje, në një gjuhë të pakuptimtë përzier me slangun e rrugës së anglishtes e piperosur me pak gegërishte Kosove ( kjo e fundit është në modë ndër këngëtarët shqiptarë edhe ato brenda kufijve, qofshin hiphop apo turbofolk, pak rëndësi ka). 

“Trupin colombiana, me dolce gabbana

Lil mama, lil mama, Puro Havana

A po don puro me Ganja?

A po don "Coke Peruana”, vijon kënga në sfond, qëndoshta stafi i palestrës e vendos jo rastësisht –për nga shpeshtësia e transmetimit –me  qëllimin për të induktuar pak adrenalinë edhe në veshë, ndërsa  bën squots në “Smith machine” apo ngre gira në metodën “Arnold press”. 

https://www.youtube.com/watch?v=Q7cuvP7PMRk

Por, nëse rastis të dëgjosh hiphop në një club (thënë më mirë kur dëgjoje atëkohë, kur nuk ishin paralizuar nga pandemia dhe ende lejohej të vallëzohej me trupat ngjitur e me gojët pa maska), mund të të ketë kapur dëshira për ndonjë koreografi, pikërisht në atë pjesën kur reperja ( kështu u thonë atyre që recitojnë fjalë që rimojnë me muzikë në sfond),  po bën “Diss”.

Ah, edhe për kuptimin e “Diss”, që të mos vdesësh injorante apo ta përdorësh pa vend duhet të pyesësh me patjetër dikë që nuk i ka më shumë se njëzet vjeç.Sipas fjalorit modern të gjuhës angleze, një këngë “diss”,  fjalë që vjen nga shkurtim i fjalës “disrespect” është këngë që ka qëllim kryesor të sulmojë verbalisht,  një artist tjetër. Këto këngë “diss” janë shpesh rezultat i një sherri në përshkallëzim mes dy  artistëve, që mund të kenë  qenë anëtarë të një grupi apo artistë të shtëpive diskografike rivale.  Këngët “diss” u popullarizuan nga zhanri hiphop, i  furnizuar nga fenomeni i  rivalitetit të hiphop-it. Loja nuk mbaron,  sepse artisti i sulmuar në një “diss”, i kundërpërgjigjet me një tjetër atij që e ka sulmuar dhe sherri, bashkë me muzikën vazhdon...

https://www.youtube.com/watch?v=vImePfQvKAQ

“Repera jan lame, kishe ego Artisti/ Kto pjeshka po kcejn t'mora tregun o njish...me u bo e famshme ishe dasht ti me u shit”, këto vargje thuhet se këngëtarja 24-vjeçare Tayna ia shigjeton një tjetër repereje, e cila thuhet se mbretëronte tregun para se të mbërrinte ajo.Rina Balaj, një tjetër këngëtare e hiphop-it, e dalë nga konkursi i talenteve “X Factor Albania 4”, më 2015, nuk ia ka përtuar Tayna-s me “diss”-e, ku nuk kursen epitetet “bitch” .

Nëse dikur, në mes të viteve ’90, ishin në modë meshkujt reperë me pantallonat e gjera e zinxhirët e rëndë metalikë në qafë e duar, kapelat të vëna së prapthi që imitonin, Tupac Shakur,  Eminem apo 50 Cent, ku “diss”-et e tyre përfundonin shpesh në konflikte të vërteta, deri edhe përplasje me armë, sot është radha e vajzave, të cilat nuk janë edhe aq gojëmbla me rivalet e tyre në treg.  

https://www.youtube.com/watch?v=fKRZz0ilM8Q

Kosova duket se ka edhe prurjet më të mëdha të repereve vajza, ku mes tyre renditen emra si  Loredana ( a nuk është ajo këngëtarja e akuzuar për vjedhje në Zvicër?!), e cila bën rap në gjuhën gjermane dhe bashkëpunon më së shumti me partnerin me të cilin ka një fëmijë, Mozzik: ky është ai që sapo ka publikuar atë këngën e çuditshme “ty ta hënksha pi...raki e ti ma hongsh mua ka...tastrofë).

Tayna dhe Dafina në "Bye, Bye"

Tjetër repere në luftë me koleget, ku mes vargjeve në klipe apo edhe “Freestyle” thënë ndryshe të krijuara aty për aty është edhe Fifi, e njohur për publikun e gjerë edhe me pjesëmarrjet e saj në “Kënga Magjike”. Megjithëse fillimisht në emisionin “Zonë e Lirë” u prezantua si një këngëtare hiphop,  ajo ka kënduar edhe balada.

https://www.youtube.com/watch?v=Tx_hqNsWPtU

“S’më bon përshtypje nëse e ki belin e hollë, mos i jep vetes rëndësi se je t’u u kalb n’silikon” , i këndon Fifi rivales së saj, Tayna, ndërsa për Rinën ka një tjetër mesazh “konkurrencën, me hashash ka me ju mshtjelli.  Keni flliq krejt e keni bo  bordell, oj ciceronke trapi t’u ka bo shpell”. Ndërsa një tjetër kolegeje-rivale, Fifi i këndon “jashtë po bojnë si gango, n’shpi janë kingja, jashtë jan bi*cha”. Këngëtarja Melinda, e cila u kthehet repereve në një prej këngëve të veta, këndon “Dul lulija te bunari, për kërkënd s’po i ha...”

https://www.youtube.com/watch?v=lRS3SyD5QGs

Nuk mbetet pas Rina, që në këngën “Ashiqare”, adreson xhelozitë e kolegeve të saj8 vjet I'm living legend m'ki inati se I'm flexing (flexing)/ E qela deren i thashe asaj it's new boss in office (office)/ i qes komt permbi tavolin, perndryshe (ndryshe)/ Prej tashtit ka ardh bosi ri, nxyre (nxyre)/ Femnen tonde kqyre kqyre qysh po kcen”

Lista e vargjeve përçmuese deri në fjalorin më të rëndë mes repereve  të botës shqiptare është e gjatë e ndoshta për këtë janë të suksesshme ndër brezat e rinj, duke i dhënë një tjetër hov subkulturës me një zhargon rruge, gjysmë anglisht e gjysmë gegërisht dhe shumë fjalë të nënkuptuara për seksin dhe drogën, jetën e shfrenuar dhe luksin.

Çdo epokë ka pasur subkulturën e saj, duke i ofruar botës rryma të reja arti, si në muzikë, pikturë, kinema e plot zhanre të tjera. Pas luftës së parë botërore ishin të famshmit Dadaistë, që e nxorën artin nga kallëpi klasik duke e kthyer  sa në formë shprehie individuale aq edhe revolte e anarkie.

https://www.youtube.com/watch?v=sNkLJX5RxKM

Vitet ’50 sollën Beatnik-ët dhe brezin e Allen Ginsberg,  William S. Burroughs dhe Jack Kerouac, vitet’60, hipitë e famshëm dhe rrokun psikedelik me trasncendencën e paqtë të meditimit oriental, shoqëruar nga e famshmja maksimë “seks, drogë dhe rock&roll”. Pastaj erdhën ata që dukeshin si të pastrehë e të trishtuar, me në krye Cobain-in e famshëm të Nirvana dhe rrymën grunge.Jo më pak e rëndësishme edhe  hip-hopi që solli revoltën e getove të varfra të Amerikës, në vargje që krijoheshin aty për aty  e buronin nga frustrimi i mbledhur  i diskriminimit dhe pabarazisë.

Albanologë nga të dy vendet po e studiojnë fenomenin, se përse gegërishtja e veçanërisht ajo e Kosovës, po përdoret nga muzika e sotme dhe jo vetëm ajo hiphop dhe deri në ç’masë ka ndikuar në të folmen e përditshme. Pa dyshim te brezat e rinj vjen e reflektuar fort. Sarah Malaj, një këngëtare e lindur në Athinë me origjinë nga Vlora, që në të përditshmen e saj nuk flet në dialektin gegë e që pretendon se është e vetmja repere femër brenda territorit shqiptar,  këndon në slangun që identifikon zhanrin “hiphop” të  botës shqiptare e po ashtu rivalizon me një tjetër repere nga Kosova, Baby G, thënë ndryshe vogëlushja gangstere , e cila e la Londrën për një karrierë muzikore në Kosovë.

https://www.youtube.com/watch?v=C3qV7ppF3Sk

Por jo të gjitha janë rivale. Ka edhe mikesha si Tayna dhe Dafina (të paktën deri tani), të cilat kanë bashkëpunuar në këngën “Bye, bye”, ku ato këndojnë “Edhe femnën un ta marr e kom fanse”.Por në mes të mbretërimit të hiphop-it nga Kosova ka edhe repere të reja që mundohen ta kapërcejnë  trendin dhe ta bëjnë gjuhën standarde po aq “gangsta” sa gegërishtja e Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?v=1MtOC_EoSqI

Një prej tyre është Boxi, një repere e re nga Tirana, nën menaxhimin e Bojken Lakos dhe “Bulza Entertainment” . Megjithëse tekstet e saj  janë më shumë anglisht se shqip,  në këngën “Bounce” ajo satirizon koleget, që duket se i kanë shumë shkuar larg origjinës së hiphopit e madje e kanë keqkuptuar atë...  “Bounce/ Go round keep rollin’/ Reminiscenze Tupac and you keep ballin’Talkin’ bout the sexy grindin’ like old times/ Hawlin’”.

https://www.youtube.com/watch?v=OwmQhdmRpZs

“Ideja e kësaj repereje është se  thyhet tabuja e të bërit  muzikë me slang Kosove. Është nga Tirana”, ka rrëfyer Lako, ndërsa Boxi – emri i vërtetë i së cilës është Ishela Boksi ka publikuar edhe një tjetër këngë, “Dridhe”, ku dëgjohet të këndojë më shumë në shqip.

Boxi, është e diplomuar në regji filmi “Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi”, ndërsa këngën e parë “Bounce for me” e publikoi në prill të vitit të kaluar, ndërsa tw dytwn  marsin  e këtij viti, ndërsa bota shkonte në karantinë si pasojë e koronavorusit.

Bojken Lako sjell ndërmend filmin “8 miles” të Eminem dhe garat mes reperëve që  krijojnë vargjet në stil të lirë apo “Free Style”, frymëzuar nga përvoja jetësore. Edhe Boxi i krijon vetë vargjet e këngëve të saj.

https://www.youtube.com/watch?v=AdB6ZTyQvrM

Më e  reja, e prezantuar nga “Bulza Entertainment” është reperja “Morph”, emri i së cilës është Alesia Haxhia dhe prezantohet me këngën “Rebel Dissin' Lames” ose “RDL”. Loja me fjalët dhe eksperimentimi i tekstit janë karakteristika të kësaj repereje, e cila gjithashtu është prezantuar në  Bulza JUTH Festival.

Me vizibilitetin që kanë, por edhe suksesin dhe paratë që u vijnë nga koncerte, albume dhe videoklipe, duket se  është koha e mbretërimit të “diss”-eve dhe repereve vajza, modë e cila nuk do të largohet pa lënë gjurmën e saj kulturore ( për mirë apo për keq) e ndoshta disa gjenerata më vonë kur t’i shohin do të kenë të njëjtat ndjesi që kanë kur shohin 40 e ca vjeçare të veshur si grunge apo metalarë.../S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë