Kosova

Escobar optimist për 18 marsin: Pritshmëri për zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë  

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret takim produktiv në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të shtunën, më 18 mars.

“Jam shumë optimist për një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", tha Escobar.

"Ne kemi për qëllim të mbështesim çdo rezultat që sjell më afër paqen e rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë, si dhe gjithë rajonin, që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euro-atlantik. Mendojmë që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, jep një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve", tha ai.

Ai, mes tjerash tha se "SHBA-ja si mbështetësja më e madhe e Kosovës në botë, ka për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe rajonin, që të zhbllokohen burimet që Ballkani ia siguron vetes".

Escobar këto komente i bëri në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë.

Presidentja Osmani tha se Kosova shkon drejt Ohrit me mendësinë se një "marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon”.

“Pritjet e mia, si presidente e Kosovës, janë që marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete të prekshme për Kosovën. Rrjedhimisht, do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, do të sigurojë integrimin gjithpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Republikës. Kjo do të rezultojë me shpërbërjen efektive të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale të Serbisë”, tha Osmani.

Ajo tha se beson që kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, “të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke”.

Escobar sot takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Këto takimë mes emisarit amerikan dhe udhëheqësve institucionalë të Kosovës zhvillohen një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë rund bisedimesh, palët pritet të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë