Ne rrjet

Escobar: Kemi marrë garanci nga VMRO-ja se do të vazhdojë rrugën euro-atlantike

Nga Gazeta ‘Si’- “Ne presim që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën evropiane”, tha zëvendësndihmës sekretari dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë online për Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik.

Escobar, gjatë bisedës për rolin e Shteteve të Bashkuara përballë sfidave në Ballkanin Perëndimor, u pyet nëse pas fitores së VMRO-DPMNE-së dhe shqetësimit në rritje për Marrëveshjen e Prespës, ai ende beson se rruga drejt Evropës do të vazhdojë.

“Po. Unë mendoj se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia bënë shumë të qartë qëndrimin presidentes pas inaugurimit se ne presim plotësisht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e saj evropiane, të angazhohet, të vazhdojë të jetë një anëtare e përkushtuar e NATO-s, dhe më besoni, ata janë një anëtar i përkushtuar i NATO-s. Dhe morëm garanci nga të gjitha nivelet e kryesisë partiake që fitoi zgjedhjet, se do të mbeten të përkushtuar në rrugën evropiane”, u përgjigj Escobar.

Greqia ka kërcënuar se do ta lidhë përparimin e vendit drejt BE-së me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht me përdorimin e emrit kushtetues të vendit.

Departamenti i Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë thirrje Greqisë që të votojë për memorandumet, pasi i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të respektojë marrëveshjen, tha se “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”.

Nga Departamenti i Shtetit kanë thënë se ndërsa formohet qeveria e re dhe zgjidhet një kryeministër, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e respektimit të “marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë