Biznes

ERRU: Në 2020-n u përkeqësuam. Reforma e ujit shumë larg zbatimit

Enti Rregullatori i Ujit ka raportuar se reforma e ujit nuk është në rrugë të mirë sepse një pjesë e mirë e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve nuk kanë arritur të plotësojnë kërkesat e riorganizimit e për rrjedhojë mbeten të palicencuara, 18 nga 57.

Raporti nga ERRU thekson se për vitin 2020 ka arkëtuar 10.5 miliardë lekë dhe ka shpenzuar 13.1 miliardë lekë, me një deficit prej 2.96 miliardëve. Raporti përcakton se gjendja financiare e  shoqërive të UK-së mbetet e paqëndrueshme, ku vetëm 10 nga 57 mund të mbulojnë kostot O&M (Operim-Mirëmbajtje).

Rritja e kostove O&M është influencuar kryesisht nga rritja e zërave të kostove të punës dhe kostove të riparimeve ndërsa Kostot Totale janë rritur nga zëri i kostove financiare ku kryesisht ka ndikuar rritja e kostove për tatimet dhe për provigjionet.

Sipas raportit për vitin 2020, “Ujë Pa të Ardhura” raportohet në nivelin 65.4% dhe është përkeqësuar nga viti 2019, me 6% rënie. Ndërkohë që faturimi total ka pësuar rënie me 2%.

ERRU vendos edhe pandeminë përkrahë shkaqeve të tjera të përkeqësimit si: “lidhje të paligjshme”, “faturimi aforfe”(sidomos për zonat rurale), “sistemet e vjetra” që ju bashkëngjitën shoqërive gjatë reformës së re territoriale.

Vihet re që , ndonëse në rënie ujësjellësit kanë vazhduar trendin rritës të punësimit, shtuar me 213 punonjës.

Megjithatë treguesi efiçenca e stafit është pothuajse në të njëjtin nivel 5.32 staf/1000 lidhje UK, pasi edhe numri i lidhjeve është rritur, duke zbutur kështu efektin negativ të rritjes së numrit të stafit. Zgjerimi i zonës së shërbimit me zonat e shtuara rurale, por edhe garantimi i sigurisë me personel roje i komponentëve të sistemeve të furnizimit me ujë të shtuara, kanë sjellë nevojën e rritjes së numrit të punonjësve për shoqëritë UK” specifikon raporti i performancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë