Muzike

Ermonela Jaho ngre perden e Teatrit grek të Operas

E vetmja, Ermonela Jaho, një nga sopranot më të rëndësishme të planetit është në Athinë për Madama Butterly, Kështu e prezantonte Teatri Grek i Operas premierën që ngriti edhe njëherë perden teatrore pas shtatë muajsh heshtjeje dhe pritjeje.  

Publiku  zuri vendet në sallë dhe në lozha dhe maestroja Lukas Karytinos dha sinjalin e rinisjes së veprimtarisë artistike,  me “Madama Butterfly” të  Giacomo Puccini-t, në sallën Stavros Niarchos.

Sopranoja shqiptare, me famë botërore, Ermonela Jaho realizoi një performancë drithëruese si Butterfly, ndërsa  Dimitris Paksoglou në rolin e  Pinkertonit. Salla  ishte me 30 përqind të kapacitetit, ku nga 1400 vende ishin mbushur vetëm 420 të tilla,  në respekt të masave kundër koronavirusit e megjithatë sipas Teatrit Grek të Operas, duartrokitjet e audiencës ishin të ngrohta e të gjata. Sipas udhëzimeve të qeverisë greke, biletat për premierën e 14 tetorit u shitën online dhe në telefon dhe do të vazhdojnë në këtë mënyrën edhe në shfaqjen e dytë, më 16 tetor, ndërsa përdorimi i maskave është i detyrueshëm në hyrje, dalje dhe gjatë performancës.

Ermonela Jaho, e cilësuar nga revista “The Economist” si sopranoja më e mirë në botë dhe e vlerësuar nga e përditshme “The Indipendent” si Madama Butterfly më e mirë që Londr ishte parë në vite, pas performancës së saj dy vite më parë në Covent Garden

Në fund të shtatorit, sopranoja  shqiptare publikoi albumin e saj “Anima Rara”, duke u renditur e para në listën e muzikës klasike në Gramaphone,  në “Warner Classic” “Opera to listen to” dhe të tjera platforma digjitale si Spotify, iTunes & Deezer.

Jaho e regjisori albumin me një orë e dhjetë minuta muzikë, nëntorin e shkuar nëPalau de Les Arts Reina Sofia di Valencia, në Spanjë. Në këtë album debutues ylli lirik ka bashkëpunuar me “Orquestra de la Comunitat Valenciana”, nën dirigjimin e  Andrea Battistoni.

Albumi “Homazh për Rosina Storchio. Anima Rara”  sjell bashkë në një disk muzikën e kënduar nga sopranoja italiane  Rosina Storchio,  e njohur edhe për krijimin e rolit të Cio-cio San në kryeveprën e  Puccini-t, “Madama Butterfly”,  në premierën e saj më 1904-n, në “La Scala” të Milanos.

Në këtë përmbledhje, Jaho interpreton 14 arie,  nga  Puccini, (“Un bel dì vedremo”, “Con onor muore… Tu? Tu? Piccolo Iddio” nga  Madama Butterfly), Leonkavalos (“Musette svaria sulla bocca viva”, “Mimì Pinson, la biondetta” nga  La bohème), Maskanji (“Un dì (ero piccina)” nga  Iris; “Ah! Il suo nome!… Flammen, perdonami"  nga Lodoletta; “Son pochi fiori” nga L'amico Fritz), Massenet (Pendant un an je fus ta femme ”; Prélude Acte V dhe “Demain je partirai ” nga Sapho; “Teneste la promessa… Addio del passato” nga  La traviata) dhe  Catalani ("Ebben? Ne andrò lontana” nga  La Wally).

“Nuk janë vetëm Traviata apo Maddame Butterfly pjesë të njohura e të famshme të kulturës operistik, por ka edhe shumë të tjera që meritojnë këtë vëmendje. Në këtë eksperiencë po mësoj shumë gjëra të reja. Ka materiale që po i studioj për herë të parë. Më duket vetja si studente tani. Është një eksperiencë kaq e bukur të të mësuarit si studente pas 25 vitesh, të kesh të njëjtën dëshirë për të zbuluar gjëra të reja”, shprehej sopranoja para publikimit të albumit.

“Nuk njoh asnjë soprano tjetër të performojë një repertor të tillë në një mënyrë kaq ekspresive sa Ermonela Jaho”, shprehet Henry Little, drejtori ekzekutiv i Opera Rara. “Ajo është një nga këngëtaret më serioze, më të përgatitura që kam njohur në këtë repertor”, tha Andrea Batistoni, dirigjent.

Por pas një periudhe pandemie, ku aktivitetet artistike u pezulluan për muaj të tërë, Jaho që ka prekur skenat e operave nga Amerika në Australi dhe Azi, i dha jetë Teatrit të Operas në Greqi, ndërsa teatrot në disa vende kanë nisur të rihapen dhe në të tjerë ende janë në pritje...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë